Nesër skadon ndalesa për ndërtimin e pallatit në Aerodrom

Nesër përfundon ndalesa 15 ditore për ndërtimin e pallatit 9-katësh tek Majçin Domi në Komunën e Aerodromit. Kryetari i saj, Zllatko Marin mbante shpresë se zgjidhja do të bëhej brenda këtyre 2 javëve, por nga Komuna e Aerodromit sot thanë se ende nuk është gjetur zgjidhje.

Marketing

Nga atje gjithashtu thonë se kryetari Marin mbetet në qëndrimin se aty nuk duhet të ndërtohet. Opsionet që po rishikohen janë dy:

Në radhë të parë po përpiqemi të gjejmë zgjidhje për tjetër parcelë, gjegjësisht parcelë zëvendësuese ku do të mund të ndërtohej, brenda ose jashtë territorit të Aerodromit.
Mundësia e dytë është kompenzimi për të cilat po i bëjmë vlerësimet ne si komunë dhe investitori.

Nga analizat e deritanishme, shumat janë marramendëse. Vetëm për harxhimet e tokës dhe shpenzimet komunale duhet t’i kthehen rreth 5,5 milionë euro.

Nga kjo komunë e Shkupit gjithashtu na thanë se kjo shumë mund të jetë edhe më e lartë nëse investitori kërkon dëmshpërblim për investimet e bëra deri më tani. Për këto dy opsione, TV21 kontaktoi vetë investitorin e “ZSF-Kom”, Fatmir Etemin. Sa i përket shitjes së parcelës, shuma e investimeve është 5,5 milionë euro, por bashkë me harxhimet e bëra deri më tani, vlera e investimit, sipas Etemit lëviz nga 8 deri 11 milionë euro.

Shuma të këtilla do të ishin shkatërruese për buxhetin komunal thonë nga Komuna e Aerodromit. E sa i përket zëvendësimit të parcelës, Etemi thotë se është vështirë të gjendet tjetër lokacion në Shkup, e respektimi i afateve kohore e vështirësojnë edhe më shumë situatën. Ai dje takoi qytetarë të Aerodromit.

“Ajo që kam bërë, së pari për veten time e pastaj për rrethin, projekti është 20 mijë metra katrorë. Plani i detajuar urbanistik planifikon ndërtesë më të madhe nga ajo që unë e kam bërë. Më besoni, këtu kam humbur 1 milion euro. Një milion euro më pak vetëm që të mos ngjajë si Muri Kinez”, tha Fatmir Etemi, Investues “ZSF-KOM”.

Edhe pse ndalesa për ndërtim skadon nesër, investuesi Etemi përmes telefonit na tha se punët nuk do të vazhdojnë por do të bëhen edhe më shumë përpjekje për gjetjen e një ujdie për këtë çështje. Debati për ndërtesën 9-katëshe filloi javë më parë kur një grup qytetarësh filluan të protestojnë kundër ndërtimit të saj me arsyen se po shkatërroheshin hapësirat e gjelbra.