Nesër vendoset për fatin e prokurorëve të PSP-së

Pasiguria në Prokurorinë Speciale Publike edhe më tej vazhdon. Pas katër vitesh të kaluara në PSP, prokurorët specialë me siguri të hënën do ta mësojnë se ku do ta vazhdojnë karrierën e tyre.

Marketing

Këshilli i Prokurorëve Publikë do të mbajë seancën në të cilën do të diskutohet statusi i tyre. Duke pasur parasysh se mandati u përfundoi më 15 shtator, kryetari i Këshillit, Aco Kolevski, thotë se të hënën do të konstatohet përfundimi i mandatit të tyre. Sipas tij, me siguri ata do të kthehen në prokuroritë e tyre amë prej ku i rekrutoi shefja e tyre, Katica Janeva.

Ne do të duhet t’i zbatojmë dispozitat e ligjit për Prokurori Speciale për të përfunduar funksionin e tyre sepse atje është paraparë që mandati i tyre nuk mund ta tejkalojë mandatin e prokurorit special. Ne vetëm këtë do ta konstatojmë me vendim”-pohoi Aco Kolevski – Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë

Pas shkarkimit të Katica Janevës nga posti i shefes së Speciales, Kolevski tha se këshilli nuk do të emërojë ushtrues detyre prokuror special pasi që emërimi është me propozim të Kuvendit.

Qëndrimi i Këshillit ishte se nuk ekzistojnë kushte për emërimin e një ushtruesi të detyrës në Prokurorinë Speciale duke pasur parasysh vetë ligjin e PSP-së, i cili thotë se propozim për emërimin e prokurorit special jep Kuvendi. Ne presim propozim nga Kuvendi. Nëse dorëzohet, sepse ky ligj është akoma në fuqi, ne do të veprojmë sipas propozimit”-tha Aco Kolevski – Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Këshilli i Prokurorëve Publikë e shkarkoi prokuroren Speciale Katica Janeva në një seancë të jashtëzakonshme të shtunën, një ditë para se të skadonte mandati i saj. Shkarkimi u bë për shkak të punës së pandërgjegjshme, të paligjshme dhe joprofesionale. Procesi filloi me një raport të Këshillit për shkarkimin e Janevës të dorëzuar te Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, i cili, nga ana tjetër, i sugjeroi Kuvendit që ta shkarkonte Janevën. Ish-shefja e PSP-së, Katica Janeva është e dyshuar në rastin Reket dhe është në paraburgim tashmë 25 ditë.

Marketing