Nesër viti i ri shkollor, arsimtarët nuk heqin dorë nga greva, ministri me letër

Nesër fillon viti i ri shkollor 2019/2020 në Maqedoninë e Veriut, por megjithatë jo me këmbë të mbarë, për shkak të grevës paralajmëruese nga sindikata e arsimtarëve (SASHK), e cila kërkon rritjen e rrogave për 25 %, me qëllim të vlerësimit të dinjitetit të mësimdhënësve, të cilët mezi mbijetojnë me rrogat e tyre.

Marketing

“Për mua nuk është vit i mbarë, sepse me një rrogë neto prej 350 euro nuk po i’a dalim me ruajt familjen. Kemi fëmijë që duhet të përkujdesemi për shkollimin e tyre nëpër universitete, kemi kredi që kanë qenë të domosdoshme për obligime jetësore dhe jo për lukse, kemi obligime ndaj taksave dhe faturave dhe në fund del që ne marrim rrogë që nuk mjafton as për gjërat elementare. Apelojmë që të mos heqim dorë deri në fund, sepse mjaft më kur një funksionarë merr rrogë 2 mijë apo 3 mijë euro, një gjykatës a prokurorë me rroga po ashtu 2 mijë e më tepër mijëra euro, ndërsa ne jemi lënë në lëmoshë”, thotë për INA, një mësimdhënës.

Nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) theksuan se mbeten në vendimin e tyre për grevën paralajmëruese në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor 2019/2020.

Kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov theksoi se pas bisedimeve me ministrin e Arsimit nuk i kanë përafruar qëndrimet.
Sipas paralajmërimeve, greva do të zgjas vetëm atë ditë, ndërsa të marten do të ketë mësim. Nga SASHK paralajmëruan se në rast se deri në fund të shtatorit nuk merren vesh me Ministrinë e Arsimit për rritjen e rrogave, atëherë do të mendojnë për grevë të përgjithshme. Ministria e Arsimit ka paralajmëruar vit të rregullt shkollor. Ministri Arbër Ademi me anë të një letre ka njoftuar të gjitha shkollat për fillimin e vitit të ri shkollor, duke uruar mbarësi dhe suksese. Ministri Ademi në letrën e tij drejtuar shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve ka numëruar të arriturat që janë bërë dhe miratimin e ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, që starton me këtë vit shkollor dhe që do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe kushteve në arsim.

Megjithatë kërkesat e sindikatës janë për rritjen e rrogave për 25 për qind, për shkak se rrogat e arsimtarëve janë tejmase të ulta në krahasim me mesataren në vend dhe standardin jetësor.