Taktizimet e VMRO-DPMNE-në për çështjen e referendumit vijnë si pasojë e ndarjeve brendapartiake midis udhëheqësisë së re dhe të vjetrës që janë lojalë ndaj ish kryetarit, Nikolla Gruevski, vlerësojnë analistët e vendit. Xhelal Neziri thotë se ata nesër deri tek kryeparlamentari Xhaferi do të deklarohen për pjesëmarrje në referendum, duke ftuar qytetarët që të shprehen kundër marrëveshjes me Greqinë. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte në arritjen e censusit.

“VMRO-DPMNE megjithatë do të marrë një vendim i cili nuk do të jetë në dëm të mbarëvajtjes së referendumit, mbase do të ketë një qëndrim që të dalë të votojë kundër marrëveshjes me Greqinë, por ky votim në fakt do të ndihmojë që të arrihet censusi prej 51% të jehonës së votuesve. Pra, do të ishte një përmbushje konzistente në qëndrimet e tyre të mos mbështesin marrëveshjen me Greqinë në Prespë, ndërkohë nga ana tjetër do t’i jepnin një shtytje dhe të ndihmonin referendumin që të dalë i suksesshëm”,- deklaroi analisti, Xhelal Neziri.

Analisti, Petar Arsovski, thotë se opozita maqedonase do të taktizojë deri në fund. Sipas Arsovskit, vendimi do të jetë neutral.

“Mendoj se VMRO do të taktizojë deri në fund dhe në fund Hristijan Mickovski do të sjellë vendimin e vetëm të mundur, do t’i ftojë votuesit që me vullnetin dhe bindjet personale të veprojnë në referendum. Mendoj se nuk mund t’i lejojë vetes që në këtë fazë të marrë anë, pasi që partia është e ndarë. Andaj duhet të pritet një deklarim i padefinuar nga ana e tij: i ftoj qytetarët që sipas vullnetit dhe bindjeve personale të veprojnë në referendum. Kjo do të jetë edhe deklarata zyrtare të mërkurën”,- tha analisti, Petar Arsovski.

Arsovski thotë se ndarjet brendapartiake do të thellohen, por kjo parti, sipas tij, e ka të patjetër të definojë veten se për çfarë Maqedonie janë, nëse jo për në Europë, atëherë të ofrojnë plan B. Neziri konsideron se çdo ftesë për bojkot të referendumit do të dëmtonte jo vetëm procesin, por do të ishte edhe vetëvrasje politike për VMRO-në.