Nga e enjtja në Kosovë 16 orë lëvizje, do të hapen xhamitë dhe kishat

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nga e enjtja qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga 5:00 deri më 21:00. Po ashtu, ai ka thënë se nga e enjtja do të hapen edhe objektet fetare, si xhamitë e kishat. “Ky është një sukses i përbashkët”, tha Vitia në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha. Tutje, Vitia bëri të ditur se në fund të majit do të mbyllet karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. “Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina, në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit, por jo vetëm, edhe më gjerë. Në fazën e tretë parashihen masa të reja lehtësuese që do të çlirojnë edhe më tepër ekonominë”, tha Vitia. Faza e tretë e lehtësimit të masave fillon më 1 qershor.

Marketing