Nga janari pensionim i detyrueshëm i personave mbi 64 vjet

Nga muaji i ardhshëm duhet të fillojë procesi për miratimin e ligjit të ri për pensionim sipas të cilit në pension do të duhet të shkojnë të gjithë personat që mbushin 64 vjet. Në përjashtim të punonjësve shëndetësorë – mjekë dhe personel mjekësor, si dhe kuadro nga sfera e arsimit të lartë.

Marketing

Siç bëri të ditur sot kryeministri Zoran Zaev, ligji duhet të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm. Sipas të dhënave të cilat i ka marrë nga MSHIA për momentin ka rreth 10.300 persona të cilët janë në moshën mbi 64 vjet, ndërsa ende janë në marrëdhënie pune.

“Kështu do të hapim mundësinë për të rinjtë dhe kuadrot me perspektivë të cilët me të vërtetë do të mund të ecin para. Ligji është menduar që të jetë i detyrueshëm pensionimi në moshën 64 vjeçare, gjegjësisht 62 vite për gratë në mënyrë fleksibile, përveç për të punësuarit në shëndetësi, mjekët dhe personelin mjekësor dhe për arsimin e lartë. Gjithsesi kjo do të kalojë në konsultime me sindikatat dhe odat, të shohim se çka bëjmë me profesione të caktuara deficitare që të krijohet mungesë e kuadrove”, tha Zaevi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit me odat ekonomike.

Ai theksoi se sistemi pensional është i qëndrueshëm dhe se mund t’i absorbojë pensionistët eventual të ardhshëm.

“Ky është proces i cili do të hapet nga shtatori, të ketë zbatim përfundimtar nga 1 janari ndërsa qëllimi përfundimtar do të jetë dhënia e mundësisë kuadrove të rinj edhe atë jo vetëm për administratën publike, por edhe për sektorin privat. Kjo gjithashtu, do të mundësojë edhe që të ulet administrata publike, gjithsesi edhe përfundimisht të përmirësohet cilësia ku punohet”, tha kryeministri Zaev.

Ai theksoi se kuadrot deficitare edhe më tutje do të mund të angazhohen, njëjtë siç do të mund të angazhohen edhe këshilltarë me përvojë nëse kjo është e nevojshme.