Në Maqedoni të enjten në mesnatë hyn në fuqi heshtja para votimit të së dielës për referendumin, i cili jo vetëm nga qeveria në Shkup, por edhe nga personalitete të larta evropiane dhe amerikane është cilësuar si historik.

Rreth 1.8 milion votues janë ftuar që të deklarohen për Marrëveshjen me Greqinë, që parasheh riemërtimin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, me çka do t’i jepej fund kontestit 27-vjeçar me fqinjin jugor.

Greqia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ka kushtëzuar pranimin e Maqedonisë në këto organizata me ndërrimin e emrit të saj, pasi sipas Athinës, Maqedonia ka pretendime territoriale dhe kulturore ndaj rajonit grek me të njëjtin emër.

Me marrëveshjen e arritur, pala maqedonase ka pranuar se Maqedonia e sotme dhe maqedonasit që jetojnë në këtë vend, nuk kanë lidhshmëri me maqedonasit antikë, sikur që nuk ka lidhshmëri as gjuha e saj, për të cilët në marrëveshje thuhet se është pjesë e grupit të gjuhëve sllave.