Nga nesër fillon votimi për zgjedhjet presidenciale

Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor për RTVM2 kanë informuar se i njëjti si organ më i lartë zgjedhor në vend është i gatshëm për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, por edhe për zgjedhjet lokale të cilat do të zhvillohen në tri komuna.

Marketing

Sipas Ljupka Guguçevska nga KShZ, veç më nesër në orën 7 të mëngjesit do të hapet vendvotimi 50-50 në objektin e KShZ-së, ku të drejtën e tyre qytetare të votës do ta realizojnë gjithsej 258 qytetarë, respektivisht anëtarët e vendvotimeve të cilët do të udhëtojnë në diasporë për të realizuar votimin në 32 vendvotimet e diasporës.

“KShZ tanimë ka hyrë në fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet presidenciale, sfidën e parë do ta kemi nesër në orën 7 të mëngjesit ku do të hapet këtu në objektet e KShZ-së vendvotimi 50-50 për anëtarët e vendvotimeve për zgjedhjet në diasporë. Kurse ditën e enjte, KShZ do ta bëjë distribuimin e materialit zgjedhor deri tek komisionet lokale zgjedhore, të cilët më pas do ta shpërndajnë deri tek komisionet e vendvotimeve.

Ndërsa ditën e shtunë do të realizohet votimi nëpër burgjet ku 1640 qytetarë me të drejtë vote të cilët janë duke vuajtur dënimin e tyre, apo janë në paraburgim, do të kenë të drejtë të votojnë. Por, ditën e shtunë po ashtu përmes pilot projektit për herë të parë do të realizojmë votimin në dy shtëpitë e pleqve, ku të drejt vote kanë plotë 71 qytetarë. Mos të harrojmë se ditën e shtunë po ashtu do të votojnë edhe 1781 votues të regjistruar në diasporë në 32 vendvotime”,- deklaroi Ljupka Guguçevska nga KShZ.

Sipas Guguçevskës, përgatitjet po ecin pa kurrfarë pengese edhe për tri komunat, si Ohër, Dibër dhe Novo Sellë, ku deri të dielën edhe për këto zgjedhje gjithçka do të jetë në bazë të kushteve të kërkuara.

“Po, do të realizohet edhe votim i parakohshëm lokal në tri komuna, si Novo Sellë, Ohër dhe Dibër, edhe atje përgatitjet po ecin pa kurrfarë pengese, materiali zgjedhor atje do të përcillet ditën e enjte, ndërsa ditën e diel banorët e këtyre tri komunave do të mund të votojnë edhe për kryetarë të komunës edhe për zgjedhjet presidenciale”,- tha Ljupka Guguçevska nga KShZ.

Sipas KShZ-së, për këto zgjedhje të drejtë vote do të kenë 1 milion e 808 mijë e 131 qytetarë të cilët janë të regjistruar në listat zgjedhore.

Marketing