Ardhja e vaksinës Covid-19 premton kthimin në normalitet pas një periudhe të vështirë që po kalon e gjithë bota, por nga ana tjetër ka krijuar edhe një treg global me vlerë dhjetëra miliarda dollarë nga shitjet vjetore, për disa kompani farmaceutike.

Ndër fituesit më të mëdhenj listohen Moderna dhe Pfizer, dy firmat farmaceutike shumë të ndryshme nga njëra tjetra, të cilat po përfitojnë më shumë se 30 dollarë për një person, i cili merr vaksinën e tyre anti-Covid me dy doza.

Moderna është themeluar vetëm 11 vjet më parë nuk ka pasur kurrë kaq përfitime dhe të ardhura, ndërkohë që kishte të punësuar vetëm 830 persona para pandemisë. Nga ana tjetër, kompania Pfizer është themeluar që në vitin 1894 dhe të ardhurat vitin e kaluar arritën në 9.6 miliardë dollarë neto, si dhe ka punësuar rreth 80.000 punëtorë.

Prodhues të tjerë të ilaçeve, ti tilla si AstraZeneca dhe Johnson & Johnson janë zotuar të krijojnë vaksinat e tyre mbi një bazë jo-fitimprurëse derisa të mbarojë pandemia.

Në një raport të publikuar nga “The Guardian” janë listuar aksionarët të cilët tashmë kanë bërë pasuri dhe lista nis me renditjen e kompanive që kanë bërë fitimet më të mëdha. Më poshtë listojmë 5 të parat.

1- Pfizer/BioNTech

Vaksina e Pfizer, e krijuar nga BioNTech ishte vaksina e parë që u miratua dhe duhet të ruhet në temperatura shumë të ulëta, deri në -70 gradë Celsius.

Qeveritë kanë porositur rreth 780 milionë vaksina të Pfizer, duke përfshirë SHBA (200 milionë doza për 3.9 miliardë dollarë) dhe komisionin e BE (300 milionë), ndërsa 40 milionë doza do t’u shkojnë kombeve me të ardhura të ulëta. Vaksina kushton 39 dollarë për dy doza në SHBA dhe rreth 30 dollarë në BE.

Shitjet e pritshme në 2021: 15 miliardë dollarë – 30 miliardë dollarë

Pfizer pret 15 miliardë dollarë në shitjet e vitit 2021 bazuar në marrëveshjet aktuale. Numri përfundimtar mund të jetë dy herë më i lartë, siç thotë Pfizer.

Ndryshimi i çmimit të aksioneve gjatë 12 muajve të fundit:

Pfizer: +1.8%

BioNTech: +156%

2- Moderna

Vaksina e prodhuar nga firma bioteknike amerikane, me seli në Massachusetts, duhet të ruhet në temperaturën – 20 Celsius. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 17 milionë doza, BE bleu 310 milionë me një mundësi për 150 milion të tjera në 2022, ndërsa qeveria e SH.B.A. porositi 300 milionë vaksina dhe Japonia 50 milionë vaksina. Moderna kërkon 30 dollarë për dy doza në SH.B.A. dhe 36 dollarë në BE.

Shitjet e pritshme në 2021: 18 miliardë dollarë – 20 miliardë dollarë. Moderna ka thënë se pret shitje prej 18.4 miliardë dollarë në vitin 2021.

Ndryshimi i çmimit të aksioneve gjatë 12 muajve të fundit:

+ 372%

3- Johnson & Johnson

Vaksina e parë në botë me një dozë të vetme Covid-19 u krijua nga departamenti Janssen në Belgjikë. U aprovua në SHBA në fund të Shkurtit dhe mund të ruhet në temperatura standarde të frigoriferit për të paktën tre muaj. Porositë e mëdha përfshijnë SH.B.A., Mbretëria e Bashkuar (30 milionë doza plus mundësi për 22 milion), BE (deri në 400 milionë doza) dhe kombet Covax (500 milionë doza deri në vitin 2022).

Shitjet e pritshme në 2021: deri në 10 miliardë dollarë

Kompania synon të japë të paktën 1 miliardë doza këtë vit, të cilat do të gjenerojnë 10 miliardë dollarë.

Ndryshimi i çmimit të aksioneve gjatë 12 muajve të fundit

+ 7.7%

4- AstraZeneca

Vaksina e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit mund të mbahet në temperaturën e frigoriferit. Porositë e mëdha kanë ardhur nga Mbretëri e Bashkuar (100 milionë), BE (deri në 400 milionë), SH.B.A (300 milionë) dhe Japoni (120 milionë).

Shitjet e pritshme në 2021: $ 2 miliard – $ 3 miliardë

Analistët në SVB Leerink parashikojnë shitje prej 1.9 miliardë dollarë këtë vit dhe 3 miliardë dollarë në 2022

Ndryshimi i çmimit të aksioneve në 12 muajt e fundit:

-8.6%

5 – Sinovac

Kjo vaksinë është administruar për përdorim emergjent në disa qytete kineze që nga vera e kaluar dhe u miratua nga rregullatori i Kinës në fillim të shkurtit. Sinovac ka arritur marrëveshje me Brazilin, Kilin, Singaporin, Malajzinë dhe Filipinet. Në janar, Turqia dhe Indonezia filluan fushatat e tyre të vaksinimit me Sinovac. Sinovac gjithashtu planifikon të furnizojë me 10 milionë doza vaksinash për kombet e Covax.

Shitjet e pritshme në 2021: miliarda dollarë, por të paqarta

Ndryshimi i çmimit të aksioneve në 12 muajt e fundit:

-21.6%