Nga puna në zyre, tetovari gjeti lumturinë tek ferma e tij familjare me produkte bio

Mënyra se si ne ushqehemi dhe cilësia e produkteve që konsumojmë luan një rol shumë të madh për të pasur një stil të shëndetshëm jetese. E në këtë kohë kur shumë produkte janë të pasigurta për tu konsumuar, ferma “Aya Farm” ofron zgjidhje duke kultivuar produkte organike, plotësisht bio për të gjithë konsumatorët. Gazmend Muharemi, pronar i “Aya Farm” rrëfen për Telegrafin si nisi ideja e këtij biznesi familjar i cili është kthyer në brend për produktet bio.

Marketing

Si lindi ideja për tu bërë pjesë e botës së biznesit duke hapur një fermë si “Aya Farm”?
Ideja si e tillë buron që nga koha e fëmijërisë, sepse është pjesë e karakterit tim që shumë sferave në jetë të i’u qasem me mendime të një ndërmarrësi. Në të njëjtën kohë unë adhuroj edhe natyrën posaçërisht atë të Pollogut, kështuqë një kombinim siç është biznesi të cilin e kemi ishte i pashmangshëm. Në vitin 2013 lindi djali im Diari i cili që nga dita e lindjes është motivi im kryesor për ta zhvilluar akoma më shumë biznesin. Në atë kohë mua dhe bashkëshortes time Ajlinit na u ringjall ideja për inicuar biznes i cili do të ofrojë produkte organike, të cilat janë tërësisht në bazë natyrore dhe konsumatorëve i’u servohen në shishe qelqi me cilësi më të lartë shërbimi, duke marrë parasysh se shumica e produkteve të cilat ofrohen në tregun tonë janë industriale ku mungon lidhja me natyrën.

Cilat ishin sfidat dhe pengesat me të cilat jeni përballur në këtë rrugëtim?
Unë isha tërësisht i vetëdijshëm se çdo fillim është i vështirë dhe se më pret një sfidë e madhe. Pengesat ishin të natyrës së ndryshme si administrative, infrastrukturore, mirëpo nuk do të kisha thënë se kjo ishte diçka e jashtëzakonshme, për shkak se është shumë e natyrshme që sfida dhe pengesa të këtilla të paraqiten gjatë realizimit të një projekti. Unë personalisht kisha fatin që të hasi në përkrahje gjatë rrugëtimit, si nga familja dhe shoqëria, ashtu edhe nga insitucionet lokale nën kompetencat e të cilave është industria në të cilen vepron AYA Farm.

Çfarë ofron biznesi juaj “Aya Farm”?
AYA farm si biznes familjar në paletën e prodhimeve ofron: qumësht organik, gjalpë, gjizë, ajkë, dhaltë, kaçkavall dhe si i tillë është i përkushtuar për tu lidhur me të gjithë ata që dëshirojnë kualitet, lojalitet, kujdes dhe mirëkuptim. AYA Farm ofron mënyrë të re të shpërndarjes së qumështit në shishe qelqi dhe prodhimeve të shëndetshme deri në shtëpitë e konsumatorëve për çdo ditë ose javë. Produktet tona ne i distribuojmë me anë të konceptit “Farm to Home Delivery” (dërgesa prej fermës deri tek shtëpitë e konsumatorëve) që do të thotë se asnjë prej produkteve të lartëpërmedura nuk plasohet nëpër marketet dhe shitoret në vend.

Sa është e vështirë të udhëheqësh me një biznes në Maqedoni, keni përkrahje?
Sado që të jetë e vështirë të fillohet dhe udhëhiqet një biznes në Maqedoni, unë përsëri do ta kisha konsideruar më shumë si sfidë se sa si vështirësi. Përkrahja kryesore, motivi kryesor janë bashkëshortja ime Ajlini dhe djali im Diari, të cilët janë edhe kritikët dhe konsulentët e mi kryesorë, si dhe nëna ime e cila që nga dita e parë është përgjëgjese për përgatitjen e të gjitha produkteve. Poashtu që nga fillimi AYA Farm ka qenë e hapur dhe ka bashkëpunuar me shumë organizata vendase dhe ndërkombëtare të cilat kanë ndihmuar zhvillimin e biznesit në mënyra të ndryshme. Një ndër përkrahjet kryesore ka ardhur nga partneri jonë strategjik organizata amerikane “CBF Farms” në krye me presidentin e saj Jeffrey Lee. Këtu do ta theksoj edhe përkrahjen nga Komuna e Bogovinës ku edhe gjendet AYA Farm.

Cilat janë anët pozitive dhe negative që i ofron bota e biznesit?
Si anë negative, ndonjëherë, do ta kisha konsideruar faktin që në situata të caktuara orari i punës mund të ndërhyjë në kohën të cilën e kam planifikuar për familjen ose shoqërinë, ndërsa si anë pozitive, do të kisha theksuar se bota e biznesit, e në veçanti atij privat, mundëson realizimin e plotë të potencialit të një inividi, sfidon qëndrueshmërinë dhe vendosshmërinë për të krijuar diçka nga zero, si dhe të kontribon për rrethin dhe komunitetin në të cilin vepron.

Ju fituat çmimin si “Sipërmarrësi i vitit 2019” dhuruar nga Komuna e Tetovës, na tregoni më shumë për këtë arritje?
Ky çmim erdhi si rezultat i përkushtimit tim disavjeçar jo vetëm për të zhvilluar biznes personal por edhe për kontributin e dhënë ndaj shoqërisë nëpëmjet të disa aktiviteteve të ndryshme. Arritja “Sipërmarrës i Vitit” është shenjë falenderimi për rezultatet e arritura në fusha të ndryshme të jetës si dhe për kontributin e dhënë në afirmimin e qytetit të Tetovës. Çmimi paraqiti një nder të veçantë për mua, dhe më frymëzoi që akoma më shumë të kontribuoj në promovimin e komunës ku vepron AYA Farm, qytetit të Tetovës dhe rajonit të Pollogut në përgjithësi.

Çka ju sygjeron gjithë njerëzve të cilët duan të krijojnë një biznes personal dhe të jenë të suksesshëm?

Jo vetëm në biznes por në çdo veprimtari çelësi i suksesit qëndron në familjen dhe shoqërinë që ju rrethon, e unë kam pasur fatin që jam i rrethuar nga njerëz të suksesshëm në çdo sferë. Pra, përkrahja dhe ndihma nga të afërmit duhet të jetë shtytësi kryesor. Poashtu, të përcjellin ëndërrat e tyre, të kenë guximin për të sjellë vendimin e duhur kurdo që të ndjejnë se një ide e tyre mund të jetë inovative dhe e suksesshme. Edhe udhëtimi më i gjatë fillon me një hap të vetëm. Mos të ngurrojnë ta ndërmarrin këtë hap!

Gazmendi ka punuar në një kompani për marketing dhe reklamim në Shkup ndërsa tani është pronar dhe udhëheqës i kompanisë Aya Farm.

Marketing