Nga sot fillon takimi i parë i Komitetit të përbashkët interdisiplinar që është formuar mes Maqedonisë dhe Greqisë, si detyrim nga Marrëveshja e Prespës.
Ambasadori Viktor Gaber, i cili do ta udhëheq ekipin nga Maqedonia për MIA theksoi ditë më parë se takimi i parë duhet të mbahet në Selanik, ku do të bisedohet për dinamikën dhe agjendën e takimeve tjera.

Sipas nenit 8 paragrafi 5 nga Marrëveshja e Prespës, punën e Komitetit të përbashkët do ta mbikëqyr Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë dhe Greqisë. Komiteti do të mblidhet dy herë në vjet, ndërsa raport për punën e tij duhet ta dorëzojë në Këshillin për bashkëpunim në nivel të lartë, trup i ri i cili gjithashtu është formuar si detyrim i Marrëveshjes së Prespës, me të cilin udhëheqin kryeministrat e dy vendeve.

Profesorët Dalibor Jovanovski, Nikos Çausidis, Ljudmill Spoasov, Ana Çupeska-Stanishkovska, Fahri Ramadani dhe Kice Kollbe, janë anëtarët e Komitetit të përbashkët interdiciplinar të çështjeve historike, arkeologjike dhe arsimore nga Maqedonia, në krye me ambasadorin Viktor Gaber. Ramadani është profesor i historisë, prorektor në Universitetin e Tetovës dhe se është zgjedhur si ekspert shqiptar si pjesë e komitetit, informon INA. Nga Greqia, Komitetin do ta udhëheq zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme, Markos Bollaris, ndërsa anëtarët tjerë, shumica janë profesorë nga universitet e Selanikut.