Pjeshkat e Maqedonisë të cilët nuk lejohet të futen në tregun rus, do të ridestinohen për tregun e Anglisë, Kosovës dhe të Shqipërisë, deklaroi ministri i bujqësisë Ljupço Nikollovski, i cili prej disa ditësh po kërkon zgjidhje për bllokadën në kufirin rus.

Nesër zyrtarisht fillon ndalesa ruse për import të pjeshkave të Maqedonisë, ndërsa autoritet vendore kanë filluar kontaktet me firmat tjetra europiane të cilët kanë leverdi të importojnë pjeshkë nga Maqedonia.

“Për këtë çështje bëjmë përpjekje me firmat të cilët po interesohen të investojnë në Maqedoni, për momentin te ne janë disa firma Angleze. Njëherit po bëjmë përpjekje prodhimi i pjeshkave të plasohet në Kosovë dhe Shqipëri. Me kujdes përpiqemi të gjemë plasman për sasia e madhe e pjeshkave”, u shpreh ministri i bujqëisë Ljupço Nikollovski.

Deri në këto momente pala ruse nuk i ka informuar zyrtarisht autoritetet në vend për arsyen dhe kohëzgjatjen e kësaj ndalese të përkohshme.

“Për momentin problemi qendron tek struktura e re qeveritare ruse. Nuk ka bashkryetar të komisionit maqedono-ruse ndërqeveritar, për këtë arsye komunikimi është vështirësuar në këtë drejtim. Unë jam bashkryetar i anës maqedone te këtij komisioni, dhe mund t’ju themë se po bëjë çmos për të tejkaluar problemin në fjalë dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të mira partneriteti me rusin”, theksoi Nikollovski.

Ndërkohë ekipet inspektuese në ditët në vijmë duhet të përcaktojnë sasinë e saktë të pjeshkave që nuk do të mund të eksportohen në Rusi, pas kësaj ndalese.