Nis pagesa në Rrugën e Kombit, sportelet ruhen me Forca Speciale

E hëna e 17 shtatorit shënon edhe hyrjen në fuqi të tarifës për qarkullimin në Rrugën e Kombit.

E teksa ishte paralajmëruar prej ditësh fillimi i pagesës, pranë sportelit janë Forca Speciale të dërguara prej ditës në Kukës, për të evituar incidentet.Më 31 mars të këtij viti në sportelet ku do të paguhet taksa pati protesta të dhunshme nga banorët e Kukësit të cilët parashikoheshin të paguanin të njëjtën tarifë si kalimtarët e tjerë.

Por pas një sërë negociatash është vendosur që banorët e Kukësit dhe zonave përreth saj të paguajnë një tarifë të reduktuar.

Në sportel do të behet verifikimi i targës dhe banorët lokalë do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh me TVSH. Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem, dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar.

Ndërkohë që tarifa për automjetet e tjera do të jetë do të jetë 660 lekë (ose 5 euro).

Për të shmangur vonesat gjatë pagesës, apo radhët e automjeteve, në dispozicion të drejtuesve të tyre do të jenë 10 sportele, ndërsa banorët e Qarkut të Kukësit do të kalojnë në korsinë 1 dhe 10, me korsinë e parë në sensin Kukës-Tiranë dhe tjetra në kthim.

Për të eliminuar kostot për banorët, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë lincesuar në qark. Sipas firmës koncesionare, e cila do të merret me mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, përveç projekteve sociale që synojnë punësimin e mbi 200 banorëve të Kukësit, gjatë 4 viteve synohet realizimi i një sërë projektesh.

Koncesionari dhe autoriteti kontraktues kanë rënë dakord për një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë, të cilët do të pajisen me ‘Digital Pass’.

Për kategorinë ‘Përdorues të shpeshtë’, pavarësisht nga klasa e automjetit, zbritja e tarifës do të bëhet për numrin e kalimeve, pasi sistemi do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo automjet.

Sipas përllogaritjeve, gjatë një dite në Rrugën e Kombit lëvizin rreth 5.000 automjete.

evn