Deputeti dhe anëtar i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev paralajmëroi se do të paraqitet në shpalljen e partisë për kandidat presidencial, ndërkohë që edhe emra tjerë të afërt me VMRO-në flitet se do të dorëzojnë kandidatura për president. “Ka momente në jetë kur njeriu duhet që të gjitha njohuritë e tij dhe të gjitha gjërat që i ka bërë t’i shfrytëzojë në funksion të shtetit. Nuk guxojmë dhe nuk duhet t’i lejojmë edhe tre vite si këto. Maqedonia po humb, po ecë mbrapa dhe po errësohet. Situatat nuk janë të mira në Maqedoni. Për këto arsye dua t’ju njoftoj se kandidohem për kryetar të Maqedonisë”, tha Vllatko Gjorçev, VMRO-DPMNE. Afati për paraqitje në shpalljen e publikuar nga VMRO zgjat deri në fund të këtij muaji, ndërsa siç informojnë nga partia e Hristijan Mickovskit, kandidati për president i opozitës do të zgjidhet më 16 janar në Konventën e VMRO-së në Strugë, shkruan gazeta KOHA.

Edhe në LSDM tashmë ka nisur shqyrtimi i emrave për kandidat të mundshëm për presidenti. Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, nuk e ka përjashtuar mundësinë të kandidohet për këtë funksion. Për mediat maqedonase, Dimitrov tha se është nderë që emri i tij përmendet si kandidat i mundshëm për president, ndërsa në pyetjen nëse do të kandidohet, ai tha se nuk është në fazë në të cilën mundet shumë drejtpërdrejtë të përgjigjet. “Tani ne jemi në një proces të rëndësishëm të konsultimeve, kontrollohet mendimi i qytetarëve, partnerëve të koalicionit. Mendoj se ka shumë emra që janë të shkëlqyer nga këto që përmenden. Unë jam më shumë i sinqertë, se sa modest. Megjithatë, pasi përmendet emri im është nderë”, thotë Dimitrov.

Procesi i konsultimeve, sipas Dimitrovit do të jep kandidat të shkëlqyer, ndërsa në këtë fazë vlerëson se më me rëndësi është të mendohet cilat janë leksionet që mund të nxirren nga dhjetë vitet e fundit prej funksionit president, duke përmendur përvojën me faljet, ndarjen e mandatit dhe mosnënshkrimin e ligjeve. Përveç Dimitrovit, gazeta KOHA nga burime zyrtare në LSDM merr vesh se një ndër kandidatët më serioz të partisë së kryeministrit Zoran Zaev është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili në parti duket të ketë mbështetje më të madhe se Dimitrovi. Shqyrtohet edhe emri i ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, megjithëse siç thonë në LSDM, mbështetje kryesisht ka nga Dega e Shkupit.

Nga tabori shqiptare, tashmë dihet se BDI e Ali Ahmetit nuk do të kandidojë asnjë zyrtar për president, ndërsa Aleanca për Shqiptarët me gjasë, do të dalë me kandidat të saj. Kjo parti qëndron në atë që presidenti i shtetit të zgjidhet në Parlament, me shumicë të dyfishtë, njëjtë sikurse zgjidhet në Kosovë dhe Shqipëri, pasi vetëm kështu mund të arrihet konsensusi për kandidatin e kapshëm për të gjithë qytetarët. (koha.mk)