Prokuroria Themelore e Gostivarit që mbulon edhe rajonin e Dibrës po zhvillon hetime intensive lidhur me vrasjen e trefishtë.

Sot në mëngjes u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre një çift i familjes Pocesta dhe vajza e tyre. Autoritetet theksuan se deri tani nuk kanë ndonjë pistë dyshimi dhe se mbeten të paidentifikuar autorët e krimit, që lanë të vrarë kryefamiljarin Amid Pocestën i lindur në vitin 1963, bashkëshorten e tij Nazmije Pocesta e lindur në vitin 1965 dhe vajzën e tyre Anila Pocesta e lindur në vitin 2004, të cilët sapo ishin kthyer nga Italia për pushime në vendlindje.

Prokurori publik kompetent është në terren dhe po punon për të zbuluar autorin dhe për të përcaktuar motivet. Në këtë drejtim janë lëshuar një sërë urdhrash për mbledhjen e gjurmëve nga vendi, raporte të ekspertëve dhe kërkime.

Vrasja e trefishtë ndodhi mbrëmë në Dibër. Stacioni policor në Dibër për këtë rast ka marrë një telefonatë nga një qytetar, pas së cilës u informua Spitali i Përgjithshëm. Një ekip i ndihmës urgjente mjekësore arriti menjëherë por për fat të keq mjeku vetëm sa konstatoi vdekjen.