Nisin ofertat për LDK’në: Kërkohet koalicion me Albin Kurtin për kryeministër

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje po e kërkojnë ndihmën e Isa Mustafës dhe LDK’së që ta bëjnë Albin Kurtin kryeministër. Po thonë se nëse Isa Mustafa s’i ndihmon Kurtit të bëhet Shef i Qeverisë do të ndëshkohet me vota nga qytetarët. Por nga LDK siç duket tani e kanë ndarë mendjen që kandidate për kryeministre në zgjedhjet e shtatorit ta propozojnë Vjosa Osmanin, shkruan Express.

Marketing

Pak orë pasi Isa Mustafa u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nisën ofertat zyrtarë të ndryshëm nga Lëvizja Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm për formimin e Qeverisë së ardhshme.

‘Vallen’ e ofertave i pari e nisi, anëtari i VV’së, Yll Rugova. Ai në thirrjen e tij publike karshi LDK’së së Isa Mustafës, ka deklaruar se votuesit kosovarë po e rpesin një koalicion VV-LDK. Çdo devijim nga kjo pritje do të paralizohej me votë.

“Qytetarët janë duke e pritur një bashkim të madh parazgjedhor, dhe ka gjasë që çfarëdo devijimi prej kësaj pritjeje historike kish me u penalizu me votë. #qeveriakurti”, ka shkruar Rugova, në një reagim në Facebook.

Pas Yllit, edhe një anëtare tjetër ka kërkuar të njëjtën gjë nga kryetari i rizgjedhur i LDK’së.

Arbërie Nagavci përmes llogarisë së saj në Facebook, ka bërë thirrje për Kurtin kryeministër sepse sipas saj Kurti është i pashantazhueshëm.

Ajo tha se bashkëpunimi VV-LDK ka mundësi të jetë një model i paparë deri më tani.

“Bashkëpunimi i Lëvizjes me LDK jep mundësinë e nisjes së një rrugëtimi të ri për një qeverisje ndryshe, për një model të paparë deri tani, angazhimi për një të ardhme çfare e dëshirojmë, për përmirësim të gjendjes”, ka shkruar në Facebook.

E në fund Nagavci la të kuptohet se kjo qeverisje mund të ndodhë vetëm me Albin Kurtin kryeministër, kjo sepse sipas saj Kurti është i pa shantazhueshëm.

“Me një Kryeministër të ditur e të pashantazhueshëm, me Albin Kurtin”, ka përfunduar Nagavci.

Zyrtari i VV’së: Koalicioni VV-LDK fiton mbi 50%

Ndërsa zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, ka shkruar në Facebook se koalicioni VV-LDK, mund t’i fitojë mbi 50% të votave të zgjedhjet e parakohshme. Por, gjithmonë me Kurtin kryeministër.

Abazi ka thënë se me Albin Kurtin si kryeministër, ky koalicion do i fitonte mbi 50% me një program me masa emergjente qeveritare për të cilin bien dakord dy partitë.

“Por nëse LDK vepron ndryshe nuk na çudit, dhe LVV i ka sërish të gjitha mundësitë, energjitë, dijen dhe përgatitjen të dalë e para dhe të fitojë pa u bërë ky koalicion parazgjedhor, dhe ta caktojë më tej partnerin e koalicionit pas votimeve”, ka shkruar Abazi.

LDK me ambicie për Vjosa Osmanin si kryeministre të vendit

Lidhja Demokratike e Kosovës dje mbajti konventën e IX-të zgjedhore, ku me aklacion u rizgjodh në krye të partisë Isa Mustafa. Ndonëse ende nuk janë kryer procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe të kryesisë, po aludohen disa emra brenda partisë që kanë gjasa të mëdha të kandidohen për kryeministër të Kosovës.

Lutfi Haziri, edhe pse lë të kuptohet se ka ambicie të kandidojë për shef të Qeverisë, ai e pranon se gjasa të mëdha për këtë post ka Vjosa Osmani, me të cilën para pak kohësh pati mosmarrëveshje.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se është herët të spekulohet për emrat e kandidatëve për kryeministër dhe se me kohë do të bëjnë publike diçka të tillë.

I pyetur nëse ka interesim të kandidojë për postin e kryeministër, ai thotë se kjo është ambicie pse është në politikë.

‘’Jo. Unë jam i interesuar dhe i zgjedhur që të jem kryetar i Gjilanit. Unë për çka jam në politikë. Për këto ambicie jam në politikë, s’jam për sy të zi’’, është përgjigja e Hazirit.

Haziri, përkundër përplasjeve që kishte pasur me Vjosa Osmanin, mendon se kjo e fundit gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë gjasa të mëdha për postin e kryeministres.

‘’Vjosa Osmani gjithmonë i ka pasë gjasat dhe ka me i pasë. Edhe sot u konfirmu edhe ajo çështje. LDK është unike edhe pritet rikthimi i madh i LDK’së, por nuk lidhet me asnjë emër të përvetçshëm. LDK e ka një ekip të madh dhe ekipi do të dalë fitues, dhe jo individi. Është spekulative me u marr me individin. Prej sot, LDK ka të bëjë me ekip, e jo individ’’, ka thënë Haziri.

LDK e mbajti të fshehur kandidatin konsensual deri në ditën e votimit, duke mos zbuluar asgjë deri më sot. Fatmir Sejdiu, Melihate Tërmkolli e disa emra të tjerë dolën haptas kundër Isa Mustafës, i cili po kritikohet për rizgjedhje edhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

LDK po kritikohet me të madhe edhe pse nuk po i lë vend njerëzve të rinj të marrin udhëheqjen e saj.

E Kosova ka mbetur pa zot shtëpia tash e gati tre javë. Kjo pas dorëheqjes së parevokusheme të Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të vendit më 19 korrik të muajit që e lam pas.

Vendi sipas partive politike parashihet që të shkojë në zgjedhje në shtatorin e këtij viti.

Ndërkohë që data ende nuk është vendosur nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçit. Madje ky i fundit ende nuk i ka thirrur në takim konsultativ partitë politike ato të koalicionit PAN e as partitë tjera opozitare për të biseduar rreth datës së zgjedhjeve./GazetaExpress/