Një gurthemel i ri bashkëpunimi mes Shkupit të Vjetër dhe qytetit Staunton

Në fund të qershorit të këtij viti, në Muzeun dhe Bibliotekën Presidenciale, që është krijuar në shtëpinë ku ka lindur presidenti Woodrow Wilson në Staunton të Shtetit të Virginias në SHBA, u organizua një ngjarje mbresëlënëse dhe e rëndësishme për shqiptarët e mbarë botës, me ç’rast u kujtua 100 vjetori i Konferencës së Paqes në Paris ku Presidenti Wilson luajti një rol vendimtar në ruajtjen e qenies shqiptare.

Marketing

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe një delegacion shqiptar i përfaqësuar nga Dr. Skender Asani, drejtor i Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Këshilltari i Kryeministrit, Jahja Lluka, dhe drejtori i Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante nga Tirana, i përfaqësuar nga Dr David Hosaflook, u prit zyrtarisht në Shtëpinë Presidenciale të Wilsonit në Staunton, që sot është muze dhe aty u zhvillua një ceremoni rasti.
Në vazhdën e këtij bashkëpunimi, është edhe vizita e kryetarit të Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, i cili përmes një interviste për gazetën KOHA shpjegon arsyet e kësaj vizite, duke sqaruar se ndjehet tejet i entuziazmuar nga fakti se nën drejtimin e tij do të hidhet një gur i çmuar bashkëpunimi në mes të Shkupit të Vjetër dhe qytetit Staunton të Shtetit të Virginias në SHBA, aty ku ndodhet edhe vendlindja e Presidentit të lavdishëm amerikan, Woodrow Wilson.

KOHA: Z. Kryetar jemi të informuar se keni marrë një ftesë të vizitoni këtyre ditëve SHBA-të. A mund të na thuani se për çka konkretisht bëhet fjalë, gjegjësisht cili është qëllimi i kësaj vizite?

V.GANIU: Në datat 7 dhe 8 nëntor do të jem në krye të një delegacioni nga Shkupi që do të vizitojë qytetin Staunton të shtetit të Virginias në SHBA, konkretisht në vendlindjen e Presidentit Amerikan, Woodrow Wilson. Siç dihet, për ne shqiptarët Presidenti Wilson shquhet si një nga figurat më të dashura të kombit Amerikan, i cili në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919, pikërisht para 100 viteve, përmss 14 postulateve të tij, arriti të bind Fuqitë e Mëdha që të mbrojë popujt e vegjël të Ballkanit nga hegjemonia e shteteve fqinje. Siç dihet ky qëndrim parimor i Presidentit Wilson shpëtoi edhe një pjesë të madhe të territorit shqiptar nga copëtimi, që ishte synim i Aleancës Ballkanike, dhe me këtë faktikisht u ruajt mvetësia e asaj Shqipërie që ishte shpallur e pavarur në vitin 1912.
Për ta nderuar kujtimin për këtë burrështetas të madh që doli nga gjiu i popullit liridashës Amerikan, ne si Komunë do të nënshkruajmë një Memorandum bashkëpunimi me qytetin Staunton të shtetit të Virginias, me ç’rast Shkupi i Vjetër tash e në të ardhmen edhe simbolikisht do të ketë një sivëlla në SHBA dhe në këtë mënyrë do të bëhet edhe binjakëzimi i komunave tona.

KOHA: Si lindi ideja për ta materializuar këtë nismë dhe si mendoni konkretisht ta realizoni binjakëzimin e Shkupit të Vjetër me qytetin Staunton?

V. GANIU: Unë si kryetar komune kam bashkëpunim të ngushtë me intelektualët e profileve të ndryshme, kurse ajo çka më ka bërë përshtypje më së shumti ka qenë veprimtaria e palodhshme hulumtuese dhe shkencore e dr. Skender Asanit, drejtor i ITSHKSH në Shkup, i cili tash së fundmi ka inicuar disa ide që ndërlidhen me forcimin e miqësisë me popullin amerikan. Në këtë kontekst ka lindur edhe ideja që edhe Komuna jonë të inkuadrohet në këto ide, duke ndërmarr një hap konkret. Dhe ja tani, me vizitën tonë në SHBA ne po finalizojmë një ide që nderon drejtpërdrejt një prej figurave më të dashura të popullit shqiptar, Presidentin Amerikan, Woodrow Wilson, busti i të cilit do të vendoset solemnisht para ndërtesës së Komunës sonë më 21 nëntor të këtij viti. Duke e përkujtuar simbolikisht figurën e madhe Presidenti Wilson, ne nderojmë edhe gjithë ata heronj të kombit tonë, të cilët gjetën frymëzim në veprën e këtij burrështetasi, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne sot e gëzojmë.

KOHA: Cili është mesazhi që dëshironi të jepni me këtë vizitë si dhe me bashkëpunimin e paralajmëruar që do ta vendosni me qytetin Staunton?

G. GANIU: Mesazhi ynë ndërlidhet me vet natyrën e këtij misioni që ne po mundohemi ta realizojmë. Me vet faktin se shqiptarët edhe pas një shekulli e nderojnë figurën dhe veprën e Presidentit Wilson, dëshmon për përkushtimin tonë të sinqertë ndaj miqve tanë amerikanë, të cilët u treguan zemërgjerë ndaj të gjitha kërkesave tona për liri dhe demokraci. Edhe me këtë vizitë ne duam të dërgojmë një faleminderim shumë të ngrohtë ndaj miqësisë së përjetshme amerikane, ndërkohë që Stauntoni dhe Shkupi janë të ngjashëm, sepse i kanë dhënë botës dy nobelistë të paqes: Wilsonin dhe Nënën Terezë. Ky fakt na bën të ndjehemi mirë në orbitën humane të njerëzve që i kanë dhënë njerëzimit dashurinë, përkushtimin dhe sakrificën, ashtu siç këtë e bënë me vepra konkrete Woodrow Wilson dhe Nënë Tereza.
Si kryetar Komune, kjo vizitë shënon edhe aspiratën e një gjenerate që po rritet me frymën e lirisë dhe demokracisë Perëndimore, ku SHBA qëndrojnë gjithmonë model i përkryer i kësaj fryme. (Koha.mk)

Marketing