Një ide e çmendur në Afrikën e Jugut, kërkojnë të rimorkiojnë një ajsberg gjigant, për të zgjidhur krizën e ujit

Një ide e çmendur po shqyrtohet në Afrikën e Jugut për të zgjidhur krizën e ujit në qytetin Cape Town. Ekspertët propozojnë të rimorkiojnë me anije për 2 mijë kilometra një ajsberg nga Antarktida.

Prej vitit të kaluar, Cape Town, një qytet prej 3.7 milionë banorësh, jeton me kërcënimin e ‘Ditës Zero’, kur qytetit do t’i mbarojë uji i pijshëm. Kjo ka nxitur kufizime si dushe dyminutëshe dhe përdorimi i vetëm 50 litrave ujë në ditë. Për momentin “Dita Zero” është shtyrë në një afat të pacaktuar, por sipas zyrtarëve ajo mund të ndodhë në 2019-ën.

Për të parandaluar këtë tragjedi, Nick Sloane, një ekspert në tërheqjen e anijeve, mendon se rimorkimi i një asjbergu mund ta zgjidhë problemin. Ajsbergu ideal do të duhet të ishte 1 kilometër i gjatë, 500 metra i gjerë dhe 250 metra i thellë. Nëse do të rimorkiohej me sukses, uji i shkrirë nga ky ajsberg do të mund të ofronte 150 milionë litra ujë çdo ditë për një vit. Edhe pse nuk do të zgjidhë të gjithë problemin e ujit në Cape Town, mund të bëjë diferencën duke furnizuar 30% të kërkesës vjetore të qytetit.

Për të parandaluar që ajsbergu të shkrijë gjatë rrugës, ai duhet të mbështillet me një pëlhurë e cila izolon temperaturën, si një termus.

Ky operacion nuk është i lirë, pasi mund të kushtojë deri në 100 milionë dollarë. Megjithëse Sloane shprehet i gatshëm të vijojë me planin nëse ai miratohet nga qyteti. Sipas tij, ai ka disa investitorë privatë që janë të gatshëm të financojnë.

Në vitin 2013, Sloane është përfshirë në projektin e heqjes së kroçierës Costa Concordia nga brigjet e Isola del Giglio në Itali.

Për momentin qyteti po analizon shifrat e reshjeve gjatë dimrit dhe do të vendosë në Gusht nëse do ta aprovojë planin apo jo.

evn