Një mesazh ndryshe për Vitin e ri islam/ hixhri 1442

Dr.Kujtim Kasami

Marketing

Duke u bazuar në historinë islame sigurisht që hixhri është një nga ngjarjet kryesore me karakter shumë dimensional dhe mësime të fuqishme për të gjithë kohërat.

Me përmbylljen e një viti, ne si njerëz zakonisht përmbyllim një proces një vjeçar me shumë përmbajtje dhe aktivitete të natyrave dhe fushave të ndryshme.

Kështu, siç duhet bërë miratimi i raportit njëvjeçar, poashtu duhet bërë planifikimi për punët, strategjitë, aksionet dhe shumë veprimtari në aspektin social, kërkimor-hulumtues, menaxhues, familjar, fetar, material, shpirtëror, edukativ, mësimor, mjekësor, etj. për vitin që vjen ( vitin e ri).

Fatkeqësisht, besimtarët musliman (këtu nuk e përjashtoj as veten time) u kënaqën duke uruar për festat fetare, në këtë rast edhe për vitin e ri islam sipas kalendrit hënor apo hixhri, duke thurrur lavde dhe përkujtuar vetëm aspektin historik të këtyre ndodhive dhe aspak nuk marrim mësim dhe nuk i trajtojmë si pikënisje për të ecur mbarë dhe për të marr rol dhe përgjegjësi që na takojmë, sidomos në këto situata dhe rrethana të krijuara pamdemike.

Një nga shumë mesazhet e hixhretit është lëvija, ecja përpara, kërkim dhe hulumtim për kushte më të mira jetësore, jo izolim dhe mbyllje, por komunikim dhe përhapje e mesazhit hyjnor që është univerzal.

Myslimanët e keqkuptuan hixhretin dhe mesazhin hyjnor sepse Islami nuk është vetëm e besimtarëve mysliman, viza-vi edhe festat islame nuk janë vetëm për myslimanët, por mirësia e kësaj feje madhështore me gjithë mësimet hyjnore është univerzale dhe fleksibile për gjithë njerëzimin në proceset globale.

Hixhreti (shpërngulja për hir të Zotit) na mëson që njeriu të bëjë një kthesë nga e keja tek e mira, nga e padobishmja tek e dobishmja, nga egoizmi drejt altruizmit, nga egocentrimi drejt kozmopolitalizmit, nga cinizmi dhe hipokrizia drejt shpirmadhësisë dhe sinqeritetit, nga turbulencat-hamendjet-dyshimet tek ajo që është e pastër, e drejtë, e qartë dhe e kuptuar drejt.

Bota dhe njerëzimi ka shumë nevojë dhe sidomos në këtë vit hixhri (1442) më shumë se kurrë për Islamin, për mësimet kuranore dhe profetike, për mesazhet e drejta me plotë urtësi nga Hixhri, për liderët islam, për shpenzimin dhe harxhimin e drejtë të pasurisë për nevoja të drejta dhe të domosdosshme.

Pse ne si mysliman mos japim kontributin e duhur në këtë situatë që është pasojë e Covid 19? – në fushën e mjekësisë, (mund të krijohet një fond humanitar për kërkime mjekësore); në arsim ( duke ndihmuar proceset arsimore sepse kjo situatë kërkon investim në arsim për të arritur rezultate dhe cilësi); në investime kapitale afat gjatë ( shembulli i Jusufit a.s), në menaxhim të suksesshëm të institucioneve të besimtarëve mysliman.

Të gjithë këtë e them me plot përgjegjësi për fjalën e shkruar dhe në këtë rast më kujtohet një thënie e mençur e Aliut r.a. (Zoti qoftë i kënaqur me të) siç thotë: “Përgaditni fëmijët tuaj për një kohë që nuk është koha e juaj”.

Duke marr për bazë kohën në të cilën jetojmë dhe kohërat që vijnë shumë të vështira nuk na lejohet më vetëm me nostalgji të kujtojmë histori dhe ndodhi të lavdishme, por gjithësesi historia është ajo që na mëson realitetin jetësor dhe le të jetë një pikënisje për të kuptuar drejt rolin, përgjegjësinë dhe kontributin që mund të japim për njerëzimin në këtë kohë shumë të vështirë!

Le të jetë me mbarësi viti i ri 1442!
20.08.2020

Marketing