Një motoçiklist e humbi jetën, ndërsa një këmbësor është lënduar rëndë në një aksident që ndodhi dje pasdite në Ohër.

Siç kumtoi MPB, dje në orën 18:30 është denoncuar se në udhëkryqin e rrugës “Abaz Emin” me rrugën “Zhelezniçka” motoçikletë “Jamaha” me targa të Manastirit, e drejtuar nga S.I. (36) nga Ohri, ka goditur në këmbësorin R.S.(52) nga Ohri, e pastaj edhe në automjetin motorik “Folksvagen pasat” me targa të Ohrit, të drejtuar nga F.B.(58) nga Ohri.

“Në aksident në vendin e ngjarjes ka humbur jetën S.I. ndërsa lëndime të rënda trupore ka marrë këmbësori R.S. i cili është dërguar në spitalin “Shën Erazmo” – Ohër për ndihmë mjekësore”, njoftojnë nga MPB.

Ekspertizë në vendin e ngjarjes kanë kryer Prokurori publik dhe ekipi i SPB-së Ohër. Pas urdhërit të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dorëzuar për autopsi.