Një muaj nga arratisja e Gruevskit, hetimi pa rezultate

Tashmë u bënë një muaj nga arratisja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili në vend se më 9 nëntor, të paraqitej në burgun e Shutkës, pasi tashmë të gjithë gjykatat ia kishin refuzuar ankesat, ai vendosi që ti shmanget drejtësisë dhe të ikë në Budapest të Hungarisë, raporton SHENJA.

Marketing

Nikolla Gruevski zyrtarisht duhej të shkojë në derën e burgut të Shutkës më 9 nëntor, por pasi korrierët e gjykatës nuk e gjetën në shtëpi të premten, u la hapësirë deri të hënën që të bëhej përsëri kontroll. Por në fakt këto ditë kërkimi për Nikolla Gruevskin ishin në ajër, pasi ai tashmë kishte marrë udhën për në shtetet fqinje të Maqedonisë, që do ta shpinin në Hungari, tek shoku i tij, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban.

Katër ditë pas vendimit për burgim, Nikolla Gruevskit tashmë i dihej vendndodhja. Ai shkroi në profilin e tij në fejsbuk një status, duke treguar se gjendet në Hungari dhe se ka nisur procedurat për azil politik, gjë që shpejtë pasi kishte aplikuar edhe e mori, pasi kishte trajtim VIP.

Edhe pse ndaj tij më vonë u lëshua fletëarresti ndërkombëtar dhe autoritetet e Maqedonisë vazhdimisht thonë se po tentojnë ta kthejnë Gruevskin në Maqedoni, kryeministri Hungarez ka qenë decid se ai do ta mbrojë të persekutuarin politik, pasi kështu e kishte adetin shteti i tij. I pari i Qeverisë Hungareze madje thurrte lavde për Gruevskin dhe thoshte se pa ndihmën e tij, Hungaria nuk do të mund të mbrohej nga vala e refugjatëve. Por këtë tregim nuk ia besoi populli i tij. Edhe opozita në Parlament por edhe qytetarët jashtë, vazhdimisht i kërkojnë llogari Orbanit për siç thonë, mbrojtjen e kriminelëve të Evropës.

Ende nuk është zbardhur itinerari i arratisjes së Gruevskit. Tashmë një muaj pas ndodhive, policia nuk ka dalë me asnjë deklaratë të saktë se në cilin kufi ka kaluar legalisht e në cilin ilegalisht, dhe si ka dalë nga Maqedonia, pa u vërejtur nga policia, kur fytyra e tij është tejet e njohur. Oliver Spasovski por edhe kryeministri Zoran Zaev, tashmë disa herë me radhë kanë ngurruar të flasin për arratisjen e ish kryeministrit, duke premtuar se së shpejti, kur ti kenë edhe inçizimet e kamerave të sigurisë nga pikat kufitare të shteteve fqinje, por edhe kur të bëjnë hetimet e tjera shtesë, do të dalin me informata konkrete. Por vetëm për një gjë ishin të sigurtë, se Gruevski nga Maqedonia nuk ka kaluar nëpërmjet rrugës ligjore, respektivisht nëpërmjet pikave kufitare.

Policia e Shqipërisë ishte e para që nxorri detaje mbi arratinë e Gruevskit. Autoritetet shqiptare patën informuar se më 11 nëntor, dikur rreth orës 19, Nikolla Gruevski e ka lëshuar territorin e Shqipërisë, nëpërmjet pikës kufitare Hani i Hotit, në kufi me Malin e Zi, dhe kishte qenë i regjistruar si udhëtar në makinën diplomatike të Ambasadës së Hungarisë në Shqipëri. Mali i Zi poashtu konfirmoi se Gruevski kishte hyrë atë ditë në Malin e Zi, dhe po atë ditë kishte dalë.

Prokuroria poashtu po vazhdon me hetimin mbi arratinë e Gruevskit, dhe ende nuk ka asnjë informacion nëse ekziston ndonjë detaj i ri i cili mund të hedhë dritë mbi këtë ngjarje.

Gjëja e fundit që ka shkruar Gruevski në fejsbukun e tij, duket të jetë vetëm njoftimi se Hungaria ia ka miratuar kërkesën për azil, dhe se tashmë ai do jetojë në atë shtet.
Teksa Gruevski gëzon lirinë në Hungari, në Maqedoni vetëm po i shtohet numri i paraburgimeve për rastet në të cilat është i dyshuar ose akuzuar. Atij iu morr edhe imuniteti i deputetit.

Arratisja e tij e nxiti prokurorinë që të kërkojë paraburgim edhe për bashkëpunëtorët e tij, Sasho Mijallkov, Mile Janakieski e Kirill Bozhinovski për të cilët PSP-ja siguronte se ka prova se kanë dashur të arratisen sikurse shefi i tyre.

Marketing