Një rizgjedhje historike e Talat Xhaferrit

Shkruan: Anisa Bahiti

Marketing

Sot u zgjodh me 62 vota Talat Xhaferri si Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Në fakt ai është rizgjedhur për 1 mandat të dytë, por duke qenë se 3 vite më parë ai ishte Kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, këtë radhë ai është kryetari i një shteti me një emër tjetër atë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo e bën atë Kryetarin e parë historik të shtetit të ri me emër të ndryshuar dhe të gjithë pranuar.

Në të njëjtën kohë ai është edhe Kryetari i parë i Maqedonisë në NATO, pasi 3 vjet më parë ajo nuk ishte pjesës NATO-s, ndaj kjo zgjedhje e bën atë akoma më të rëndësishme nga pikëpamja historike.

Sigurisht që zoti Talat Xhaferri është njeriu më serioz në publik por edhe në jeten private nga të zgjedhurit e BDI-së, partisë së Ali Ahmetit, më serioz edhe se vetë z. Ahmeti. Ky i fundit premtoi në fushatë se do të kishim një kryeministër shqiptar, por mesa duket ka nënkuptuar Zoran Zaevin si shqiptar pasi ky i fundit pati deklaruar një herë se mund të kishte patur origjinën e të parëve shqiptare.

Mesa duket në politike shakatë dhe premtimet që nuk mbahen pranohen. Por rizgjedhja e z. Xhaferri ka edhe një aspekt tjetër historik, ai është i vetmi politikan i BDI-së dhe i qeverisë së sotme që është i pranueshëm për opozitën në parlament, qoftë opozita shqiptare qoftë ajo maqedonase. Mesa duket kjo opozitë do të jetë shumë e fortë pasi 62 deputetë që mbajnë qeverinë në këmbë do të kenë përballë 58 deputetë shumë të motivuar, ndaj duhet një kryetar Kuvendi me autoritet për të balancuar ekuilibrat shumë të brishtë të kësaj mazhorance.

Zgjedhja e Talat Xhaferrit në kushtet ku mesa duket Ali Ahmeti nuk do të jetë vetëm dëshmitar në dhomat speciale të Hagës për UÇK në Kosovë, por me shumë gjasa edhe i akuzuar si Thaçi, Veseli e të tjerë drejtues të UÇK, e bën Talat Xhaferrin një aset shumë të rëndësishëm të BDI në mënyrë që Zoran Zaev partneri në koalicion të mos e shkatërrojë BDI, pasi emrat e Bujar Osmanit, Artan Grubit apo dhe Kreshnik Bekteshit janë shumë të dobët përballë një kryeministri të fuqishëm si Zoran Zaev.

Sot Talat Xhaferri mund të kishte qenë ndoshta kryeministër i Maqedonisë së Veriut nëse shqiptarët në parlamentin e Shkupit do të ishin treguar më të zgjuar për ta mbështetur BDI, por tashmë ajo ngjarje po merr trajtën e një tallje historike ndaj është shumë mirë që një njeri shumë serioz si Talat Xhaferri të jetë numri dy i shtetit. Ndoshta është në fatin e z. Xhaferri të jetë gjithnjë shqiptari i parë në Maqedoninë e Veriut në poste të rendesishme.

Ai ishte oficeri i parë i Armatës Maqedonase që la uniformën dhe veshi atë të UÇK. Ai ishte Ministri shqiptar i parë i Mbrojtjes së Maqedonisë, si edhe Kryetari shqiptar i parë i Parlamentit të Maqedonisë dhe tani do të jetë Kryetari i parë i Parlamenti të shtetit më të ri në botë me emër të ndryshuar.

Urime z. Talat Xhaferri.

✍🏻 Bahiti Anisa

Marketing