Në Prishtinë po zhvillohet turneu tradicional ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari”, ku po marrin pjese boksier nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit. Të shtunën u zhvilluan katër duele gjysmëfinale, ndërkohë sot do të zhvillohen edhe duelet finale ku janë të planifikuara shtatë meçe.

Sekretari gjeneral i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci, ka folur për KosovaPress, rreth organizimit të këtij turneu, sfidave që kanë hasur për shkak të pandemisë Covid-19 dhe telasheve që kanë pasur klubet e boksit për shkak të mungesës së financave.

Bogujevci është shprehur shumë i lumtur që në këtë edicion të këtij turneu, i 22-ti me radhë, po merr pjesë edhe Sllovakia, shtet ky që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Bogujevci: Risia e këtij turneu është se po merr pjesë edhe Sllovakia, shtet që nuk e ka njohur Kosovën

“Unë jam mjaftë i kënaqur me boksierët e Kosovës për arsye se ky vit i pandemisë na ka lënë shumë mbrapa, ne si federatë jemi munduar t’i mbajmë sado pak në përgatitje të ndryshme si në bjeshkë, ashtu edhe në bregdet edhe deri diku ia kemi ruajtur formën edhe janë boksierët tanë mjaftë mirë të përgatitur për këtë turne. Siç e dini ky është turneu i 22-të me radhë i cili i kushtohet komandantit tone legjendar Adem Jashari dhe në këtë vit është një risi sepse ka ardhur një shtet i cili nuk e njeh Kosovën si Sllovakia….. Ne kemi marrëdhënie të mira me federatën sllovake edhe Presidenti i Federatës Sllovake ka ardhur dhe sot ka qenë në homazhe në Prekaz. Me të vërtetë na ka ardhur shumë mirë ky gjest i federatës sllovake në këtë kohë pandemie.”, tha Bogujevci.

Më tutje, Bogujevci theksoi edhe telashe që kanë hasur klubet e boksit ë Kosovës për shkak të pandemisë Covid-19 në aspektin financiar.

Bogujevci: Gjendja ekonomike ka ndikuar në organizimin e klubeve kosovare të boksit

“Klubet e boksit në Kosovë në përgjithësi kanë probleme financiare për shkak se nuk janë të mirë organizuara. Tash pasi është aprovuar ligji për sponzorizim munden secili klub në qytetin e vet të gjejë sponsorë, por problemi sivjet ka qenë se tash edhe pandemia, gjendja ekonomike nuk është e mirë edhe është bërë ai problem.”, deklaroi Bogujevci.

Bogujevci gjithashtu ka zbuluar edhe shifrat që kanë përfituar klubet e boksit pas mbështetjes financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se nga pakoja e dhënë nga ana e qeveris, klubet e boksit do të përfitojnë nga 1200 euro.

Bogujevci: Nga ndihma e Qeverisë së Republikës së Kosovës, klubet e boksit do të përfitojnë nga 1200 euro.

“Në përgjithësi klubet i marrin nga 1200 euro. Ende nuk janë shpërndarë mjetet nëpër federata por është pru vendimi që të gjitha klubeve sportive të boksit nga 1200 euro i kanë ndihma. Janë ndihma minimale, por janë ndihma dhe ne jemi mirënjohës qeverise dhe ministrisë së sportit për këtë mbështetje. Sa do pak klubet do të rifreskohen, disa pajisje munden me i ble, doreza, thasë, sado pak një ndihmë e vogël është ë mirëseardhur për ne.”, tha në fund Bogujevci.

Kujtojmë se shtatë duelet finale të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari” do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 12:00.