Një triumf dhe 100 punë që presin

Nga Enver Robelli

Marketing

Kaq shumë poste të larta shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë pasur kurrë. Kjo është pozitive. Por postet nuk duhet të shërbejnë si qëllim në vetvete. Nëse postet nuk prodhojnë politika zhvillimore, atëherë një shqiptar do të jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut ku fshatrat shqiptare do të jenë pothuaj të zbrazura.
Në karrierën e tij politike Ali Ahmeti tani ka arritur zenitin e vet. Nëse në mandatin e kaluar ai bashkë me liderin e socialdemokratëve maqedonas Zoran Zaev arritën të heqin qafe problemin me Greqinë rreth emrit të shtetit dhe kështu hapën rrugë për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, në mandatin e ri Ali Ahmeti duket si një korrës krenar: në kabinetin e ri Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të kontrollojë disa nga ministritë kryesore si financat, ekonominë dhe – për herë të parë – edhe ministrinë e Jashtme. Zgjedhja e një shqiptari në postin e kryetarit të parlamentit tashmë duket si e vetëkuptueshme – si në mandatin e kaluar edhe në këtë të riun kuvendin do ta kryesojë Talat Xhaferi. Përdorimi i gjuhës shqipe në institucione dhe në jetën publike në Maqedoninë e Veriut është bërë diçka normale.

Oponentët politikë e akuzuan Ali Ahmetin se hoqi dorë nga premtimi se do të bëjë një shqiptar kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Sipas marrëveshjes BDI do të propozojë një kandidat për kryeministër, i cili do t’i prijë qeverisë në 100 ditët e fundit të mandatit, domethënë diku nga viti 2023. Deri atëherë shumë ujë do të rrjedhë Vardarit teposhtë, por me rëndësi është se një parti kryesore maqedonase e thyen tabunë dhe pranon që një ditë një shqiptar mund të jetë kryeministër i vendit. Ali Ahmeti me të drejtë mund t’ju thotë kritikëve të tij se as Roma nuk është ndërtuar brenda një dite.

Në fund të viteve 1980-të shteti maqedonas i mbyllte gjimnazet për shqiptarë, prishte muret e shtëpive të shqiptarëve, i trajtonte shqiptarët si qytetarë të rendit të tretë. Nga mesi i viteve 1990-të shteti maqedonas hapte zjarr kundër shqiptarëve që kërkonin themelimin e një universiteti në gjuhën shqipe në Tetovë dhe burgoste politikanë lokalë që vendosnin flamurin shqiptar në ndërtesa komunash. Tani debati ka arritur një nivel tjetër: shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë shndërruar në faktor të pashmangshëm për qëndrueshmërinë e shtetit maqedonas. Në këto të arritura historike merita e Ali Ahmetit është e madhe.

Qëndrimi i gjatë në pushtet çdo parti e bën të plogët. Ky rrezik i kërcënohet edhe BDI-së, e cila nuk ka mbetur e paprekur nga fenomenet e këqija të politikave ballkanike. Rrjedhimisht, në këtë mandat Ali Ahmeti sado që ka të drejtë të festojë triumfin e tij për korrjen e posteve të larta, ai po ashtu duhet të kujdeset të kryejë edhe 100 punë që presin e kërkojnë zgjidhje urgjente. Problem mbi problemet është largimi i njerëzve nga Maqedonia e Veriut, sidomos shqiptarëve. Postet e larta të shqiptarëve duhet të shërbejnë për prodhimin e politikave zhvillimore. Sepse pa politika zhvillimore fshatrat shqiptare nga Kumanova në Tetovë dhe tutje në Gostivar e Strugë do të vazhdojnë të zbrazen. Pakënaqësia u pa edhe në zgjedhjet parlamentare: pjesëmarrja ishte e ulët, ndërsa rivalët politikë të Ahmetit morën 12 deputetë. BDI ka vetëm tre deputetë më shumë.

T mobile In article [1]
Në fillim të mandatit të kaluar qeveria e re premtoi se do të luftojë korrupsionin, do të kujdeset që të vihet drejtësia në vend dhe do të luftohet trashëgimia toksike e pushtetit të Nikolla Gruevskit. Nga ky synim Maqedonia e Veriut është ende larg. Këtë e ka treguar rasti i Prokurorisë Speciale, e cila duhej të hetonte aferën e përgjimeve për të cilën akuzohej Gruevski. Prokurorinë e udhëhoqën tri gra me në krye Katica Janevën. Tri gra kundër pushtetit të burrave të poshtër? Kjo tingëllonte bukur. Edhe mediat perëndimore duartrokitën. Ndërkohë Janeva është arrestuar nën akuzën e shantazhit, në shkallën e parë ajo ka marrë 7 vjet burg.

Rasti tjetër është ai i Kumanovës: në mesin e të ashtuquajturve patriotë shqiptarë ekziston bindja se shqiptarët që morën pjesë në “betejën e Kumanovës” janë atdhetarë. Ndonëse nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri prej tyre gjatë luftës në Kosovë (1998/99) dhe në Maqedoni (2001) të ketë dhënë ndonjë kontribut, e vërteta është kjo: shumica e atyre që morën pjesë në aventurën e Kumanovës dyshohen për krime të rënda dhe të llojllojshme. Opinioni shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë duhet t’i trajtojë si të tillë dhe jo si heronj që edhe nga qelitë e burgut po mbrojnë gjoja “dinjitetin shqiptar”. Qeveria e re në Shkup duhet të krijojë kushte që drejtësia të shkojë deri në fund me ndriçimin e këtij rasti, i cili më shumë i ngjan një inskenimi për interesa të nëntokës politike.

Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar mbetet të shihet nëse Maqedonia e Veriut do të qeveriset vërtet mirë apo do të shndërrohet edhe më shumë në demokraci proporcionale dhe konsesuale, siç kritikoi këto ditë gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, – pra, një demokraci ballkanike ku “nuk është më vendimtare se çfarë thuhet, por kush e thotë – përkatësisht çfarë prejardhje etnike ka folësi”. Kjo gazetë modelin e ndarjes së pushtetit në Maqedoninë e Veriut e krahasoi me Libanin – duke shpresuar që rezultati të mos jetë i njëjtë.

Zoran Zaev, Ali Ahmeti, partitë e tyre, deputetët e partive të tyre dhe mbështetësit e tyre duhet t’i marrin seriozisht kritikat nga brenda dhe jashtë në mënyrë që Maqedonia e Veriut të stabilizohet edhe më tej dhe bëhet shtet funksional. Shanset nuk përsëriten shpesh.

Marketing