Spilleja është shndërruar në një nga destinacionet më pak të pëlqyera të turistëve, kjo pasi pushimet e tyre janë shkatërruar nga një “ushtri” mushkonjash që kanë pushtuar këtë plazh. Në kulmin e sezonit, plazhi i Spillesë “braktiset” nga pushuesit, pasi mushkonjat ia kanë bërë të pamundur qëndrimin e tyre, e ndërsa bizneset shprehen se kjo zonë është e vetmja në Shqipëri që nuk ka qenë pjesë e projektit të dezinfektimit. Të dëmtuar kanë qenë edhe bizneset, të cilat si mënyrë jetesë gjatë vitit kanë pikërisht fitimet nga sezoni turistik.

“Spilleja është e vetmja zonë në të gjithë vijën e detit të Adriatikut që nuk është kryer spërkatja me helme nga ajri. Vetëm Spilleja nuk ka qenë pjesë dezinfektimit, pasi në Divjakë është kryer dhe këtu jo”,shprehen disa pronarë.

Kjo gjë i ka detyruar ata që të marrin masa në mënyrë personale, duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të Pushtetit Vendor që t’u tregojnë se cilin preparat përdorin, pasi shpenzimet do t’i përballojnë vetë,

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të pushtetit vendor që të marrin masa se po na shkatërrohet puna në mes. Madje na mjaftojnë që të na orientojnë me preparatet që duhet se shpenzimet jemi gati t’i përballojmë vetë”, shprehet ata.