Njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos, do të dhurojë 10 miliardë dollarë për të luftuar ndryshimet klimatike. Ai e bëri premtimin në një postim në Instagram, duke e quajtur ndryshimin e klimës “kërcënimin më të madh për planetin tonë”.

“Ndryshimet klimatike janë kërcënimi më i madh për planetin tonë. Dua të punoj bashkë me të tjerët si për intensifikimin e metodave të vjetra ashtu edhe eksplorimin e mënyrave të reja për të luftuar ndikimin shkatërrues të ndryshimeve klimatike në këtë planet që e ndajmë të gjithë’, tha themeluesi i Amazon në një njoftim në Instagram.

Bezos shtoi se paratë do të përdoreshin për financimin e punës së shkencëtarëve, aktivistëve dhe grupeve të tjera.

Punonjës të Amazon i kanë kërkuar atij të bëjë më shumë për luftën kundër ndryshimeve klimatike. Madje disa prej tyre janë larguar nga puna apo kanë ngritur zërin në publik.

Bezos u bashkohet kështu disa miliarderëve të tjerë amerikanë, të cilët kanë premtuar shuma të mëdha për të luftuar efektet e ndryshimit të klimës, duke përfshirë bashkëthemeluesin e Microsoft-it Bill Gates, ish kryetarin e bashkisë së New York-ut Michael Bloomberg dhe menaxherin e fondeve financiare Tom Steyer.

56-vjeçari ka një pasuri neto prej më shumë se 130 miliardë dollarësh, dhe shuma e premtuar për klimën përfaqëson gati 8 përqind të pasurisë së tij.

Por në krahasim me multimiliarderët e tjerë, filantropia e Bezos ka qenë e kufizuar dhe donacioni me i madh deri më tani ka qenë ai prej 2 miliardë dollarësh në vitin 2018, në ndihmë të familjeve të pastreha dhe ndërtimit të shkollave.