Njëvjetori i qeverisë, Zaev lavdërohet

Kryeministri, Zoran Zaev, raportoi arritjet e qeverisë së tij, në përvjetorin e parë të qeverisjes.

Sipas tij, arritjen më të madhe e kanë shënuar qytetarët, të cilët në zgjedhjet e fundit, sipas tij, me votë e kanë çliruar vendin nga regjimi. Pas zgjedhjeve, qeveria e re është angazhuar që të kthejë shtetin ligjor, interesat strategjike dhe mirëqenien e qytetarëve, tha ndër të tjera Zaev.

“E ngritëm Republikën e Maqedonisë si vend të hapur, ligjor, stabil dhe vend i mundësive në pesë shtylla. Në shtyllën për rritje ekonomike, në shtyllën reforma, në shtyllën e institucioneve që shërbejnë, në shtyllën një shoqëri për të gjithë dhe në shtyllën e interesave tona strategjike: anëtarësimin në NATO dhe BE. 365 ndryshime në 365 ditë. Çdo ditë, Maqedonia ndryshon për të mirë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Në planin e marrëdhënieve ndëretnike, Zaev tha se kjo qeveri po e ndërton një shoqëri për të gjithë ku të gjithë qytetarët janë qytetarë të rendit të parë.

“Mbaruan politikat e së kaluar që stimulonin mosdurim. Nuk ka revanshizëm, nuk ka ndarje partiake, nuk ka ndarje etnike. Në këtë drejtim propozuam Ligjin për përdorimin e gjuhëve me të cilin do të zgjerohet përdorimi i gjuhës amtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve në harmoni me Kushtetutën dhe amendamentin 5. Ligji u mundëson qytetarëve që të komunikojnë me institucionet e shtetit në gjuhën amtare dhe kështu më lehtë dhe në formë më efikase të realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Gjatë vitit të parë të qeverisjes Zaev tha se ka përfunduar faza e parë e reformave në gjyqësi, nga tre faza gjithsej. Në ndërkohë, vazhdojnë reformat në administratë, polici dhe media.

Nga reformat në arsim përmendi ndërprerjen e testimin ekstern dhe rishikimin e Programit të Kembrixhit, ndërsa paralajmëroi shkurtimin e lëndëve mësimore si dhe ligj të ri për arsim të lartë.

Qeveria e re, ndryshoi kursin ekonomik të vendit, tha Zaev. Sipas tij, Maqedonia shënon rritje ekonomike dhe rritje rrogash.

“90 000 qytetarë marrin pagë minimale më të lartë, paga mesatare është më e lartë për 5,6% krahasuar me periudhën e njëjtë vjet. Vit i stabilizimit financiar i vendit. Rritëm buxhetin për rritje ekonomike, dhe buxhetin për mbështetje të ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Siguruam 16 investime të huaja prej gjithsej 200 milionë euro, ku parashihet të punësohen mbi 2700 punëtorë”,- potencoi kryeministri, Zoran Zaev.

Sipas Zaev, masat qeveritare po ndjehen pasi, çmimi i rrymës është liruar, s’ka taksë për radiodifuzion, janë rritë subvencionet për bujqit. Rreth 65 mijë bujqve u kthehet tatimi personal.

Po ndërtohen 800 km rrugë të shpejta dhe të sigurta për të cilat janë siguruar 250 milionë euro. Korridori 10 është përfunduar, në ndërkohë po ndërtohen hekurudhat e Korridorit tetë.

“Ndërtohet gazifikimi i RM-së, ndërsa qytetarët e 34 komunave do të fitojnë ujësjellës dhe kanalizim.”- theksoi kryeministri Zaev, në raportimin për një vit qeverisje.

evn