“Hekuri rrihet sa është i nxehtë” dhe kjo nuk është thjesht një shprehje në kuptimin e figurshëm të saj, por një proces i vështirë pune që dikur ishte baza e prodhimit të vegla bujqësore.

Tashmë që industria është zhvilluar, kovaçët janë të rrallë, por ka nga ata si Shahin Kurti në Elbasan, që pavarësisht punës së vështirë ndihen të lumtur.

“E kam mësuar që i vogël, por tashmë jam i lumtur pasi nuk ja shtrij dorën tjetrit”, thotë kovaçi.
Fermerët, sidomos ata në moshë i besojnë punimit me dorë dhe kazmat e lopatat e punuara nga kovaçi, nuk i krahasojnë me punimet industriale.

Me duart e copëtuara, por me ndërgjegjen e qetë, Shahini, jo vetëm që e bën me dëshirë punën e tij, por është po aq i kënaqur që zanatin, edhe pse punë e vështirë, ua ka lënë djemve.

“Djali nuk e vazhdoi shkollën dhe unë vendosi t’i lë zanatin”, thotë Shahin Kurti për “t.ch”.
40 vite kovaç, Shahini sot, shpreh keqardhjen që zanatçinjtë po shkojnë drejt zhdukjes. Kjo sipas tij, vjen për faktin që rinia nuk ka dëshirë të punojë.