Nuk fitoi asnjë bashki të madhe, Macron “përqafon” kauzën e të Gjelbërve

Partia e presidentit francez, Emmanuel Macron, “La Republique en marche”, regjistroi një humbje të rëndë në zgjedhjet për bashkitë e Francës, të cilat janë fituar ndjeshëm nga ambientalistët.

Marketing

Partia e Gjelbër Franceze, e njohur zyrtarisht si Ekologjia Europiane- Të Gjelbërit, surprizuan Macron dhe Francën në votën e së dielës duke marrë drejtimin e qyteteve të mëdha përfshirë Lionin, Bordon dhe Strasburgun, shpesh në aleancë me të majtën.

Partia e Macron nuk arriti asnjë fitore të vetme në qytetet e mëdha, një rezultat i cili zbeh shpresat për një rizgjedhje të tij në 2022. Por shefi i Elizesë duket se është kundërpërgjigjur me deklaratat e tij të fundit lidhur me planin ekonomik.

Macron priti në takim 150 francezë të zgjedhur në mënyrë të rastësishme, që punuan për 9 muaj në Konventën për Klimën duke pohuar se tani është koha për të përshpejtuar transformimin ekologjik.

“Ekologjia do të jetë në zemër të modelit tonë ekonomik” –  tha Macron – “Shteti do të bëjë të gjithë pjesën e tij. Prandaj duke nisur nga plani i rimëkëmbjes ekonomike që ne po përgatisim, do të vendosim në dispozicion dhe 15 miliardë euro shtesë në dy vitet e ardhshme për të mundësuar tranzicionin ekologjik të ekonomisë sonë.”

Presidenti i Francës propozoi gjithashtu ndryshime kushtetuese për të vendosur synimet në çështjen e klimës në të. Për këtë ai është i gatshëm të organizojë një referendum nëse parlamenti do ta lejojë një gjë të tillë.

Macron shtoi se nuk pranon propozimin për një taksë dividenti 4%, pasi sipas tij, kjo dëmton investimet.

Kjo qasje ambientaliste e Macron duket si kundërpërgjigje për rezultatin negativ të zgjedhjeve lokale, të shënuara nga një abstenim tepër shqetësues prej mbi 60%.