Nuk janë siguruar akoma votat për ndryshimet kushtetuese

Debati i sotëm në Kuvend zbardhi qëndrimin edhe të një pjese të deputetëve të opozitës, të vendosur për të mos mbështetur ndryshimet kushtetuese. Me këtë, zyrtarisht akoma nuk ka lëvizje tjetër nga numri e deputetëve të cilët janë shprehur “për” ndryshime, me qëllim të ndryshimit të emrit të shtetit.

Marketing

Një ditë më parë, nga qëndrimi i mëhershëm lëvizi vetëm deputeti i pavarur Ferid Muhiq, me të cilin numri shkon në 72 deputetë që paraprakisht janë shprehur “për”. Për t’u plotësuar numri i nevojshëm për miratim, pushtetit i duhet të bindë të paktën edhe 8 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Deputetët që pritet të votojnë “për”
LSDM – 49,BDI – 10, Lëvizja Besa – 5, Aleanca për Shqiptarët – 2, PDSH – 2, Hamdi Bajram, Vesel Memeti, Panço Minov dhe
Çedomir Sazdovski,gjithsej – 72 deputetë.

Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, deputetët e saj mbeten të unifikuar dhe kundër.

Mundem edhe një herë të theksoj se grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së është i bashkuar dhe i vendosur në atë që kemi pasur edhe paraprakisht si qëndrim. Kjo nënkupton që qytetarët duhet të respektohen dhe ata nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese- deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Megjithëse ishte vetëm dita e dytë e debatit parlamentar i cili në këtë fazë mund të zgjasë deri të dhjetë ditë, jozyrtarisht flitet se Kuvendi do të shkojë një hap më tej të mërkurën ose maksimumi të premten.

Kjo nënkupton që nisma për qasje në ndryshimet kushtetuese të vendoset në votim dhe në rast se nuk merr mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, të inicohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si data të mundshme për zgjedhje janë përfolur 2 ose 9 dhjetori. Në rast se sigurohen 80 vota, nisma kalon në fazën e dytë, në Komisionin për çështje kushtetuese dhe më vonë përsëri në seancë plenare.

Marketing