Nuk ka marrëveshje për tërheqjen e plotë të vendimit kosovar edhe pas takimit të Prishtinës

Nuk ka marrëveshje konkrete për tërheqjen e vendimit kosovar për doganat e rritura as pas takimit të sotëm në Prishtinë ndërmjet ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministrit kosovar të Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani.

Bekteshi ka treguar dëmet të cilat i shkakton vendimi i dy palëve, ndërsa nga Hasani ka marrë konfirmim se kjo do të transmetohet në seancën e parë të ardhshme të Qeverisë kosovare.

“Me kolegun Hasani sot kishim takim më të gjatë, por shumë më konstruktiv, në të cilin me argumente i shpjeguam qëndrimet tona për nevojën e ndërprerjes së plotë të doganave. Edhe pse masa është tërhequr pjesërisht për një numër të madh të prodhimeve, gjegjësisht 21, ajo mbeti ende në fuqi për vetëm shtatë produkte, edhe atë për domatet, specat, rrushin, kumbullat, mollën, dardhat dhe mjedrat, në të cilat bën pjesë numri më i madh i eksportit të Maqedonisë në tregun kosovar”, deklaroi Bekteshi pas takimit. Siç theksoi Bekteshi, Qeveria kosovare në seancën e parë të ardhshme do t’i shqyrtojë vërejtjet e Maqedonisë që të gjendet zgjidhje e cila do të pranohet nga të dyja palët.

“Personalisht besoj se në afat sa më të shkurtë do ta vazhdojmë bashkëpunimin e deritanishëm të shkëlqyer tregtar, në interes të prodhuesve bujqësor dhe bashkësisë së biznesit nga të dyja palët”, potencon Bekteshi.

Takimi pasoi pas shkresës zyrtare të cilën Bekteshi ia dërgoi kolegut kosovar para një jave dhe pas takimit të vendeve të CEFTA-s në Beograd, në të cilin ishte përshëndetur vendimi i Qeverisë kosovare për heqjen e barrierave tregtare dhe ishte ftuar Prishtina që në tërësi t’i ndërpresë doganat për prodhimet e tjera të përfshira me vendimin.

Kosova më 18 korrik e mori vendimin për rritjen e doganave për prodhimet bujqësore për 30 për qind si masë e përkohshme e cila duhet të zgjasë tre muaj, ndërsa ka të bëjë me vendet të cilat eksportojnë në tregun kosovar.

evn