Nuk po dihet saktë sa do t’i kushtojnë këto zgjedhje Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vendosur që 6 tetori i këtij viti do të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme të vendit. Këto zgjedhje pritet t’i kushtojnë kuletës shtetërore rreth 6 milionë euro, 2 milionë më shumë sesa zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, shkruan gazeta “Zëri”.

Marketing

6 tetori do të jetë data kur gjithë qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit për t’ia dhënë legjitimitetin një qeverie të re në vend. Kështu ka vendosur presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili të hënën menjëherë pasi dekretoi shpërndarjen e legjislaturës së VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e caktoi edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, KQZ-ja është në pritje të shqyrtimit dhe të caktimit të kostos totale të organizimit të zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për “Zërin” ka thënë se kjo gjë do të përcaktohet sot. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së nesërme do të mbajë mbledhje. Në rend të ditës së mbledhjes së KQZ-së do të jenë disa vendime: shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së, miratimi i planit operativ, miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje”, ka thënë ai.