Nuk respektoi rregullat e Covid, dorëhiqet ministri irlandez

Dara Calleary, ministri irlandez i Bujqësisë, dha dorëheqjen të premten pasi shkeli masat kufizuese të vendosura për pandeminë.

Marketing

Ish-ministri mori pjesë në një event me 80 të pranishëm.

“Pjesëmarrja e tij në atë ngjarje ishte e gabuar. Njerëzit në të gjithë vendin kanë bërë sakrifica të mëdha gjatë kësaj periudhe”, u shpreh lideri irlandez, Micheal Martin në një deklaratë.

Edhe politikanë të tjerë që morën pjesë në atë organizim po përballen me presionin për të dhënë dorëheqjen.

Sakaq, Irlanda ka forcuar ndjeshëm masat gjatë kësaj jave pas shtimit të rasteve të reja me koronavirus. Qeveria ka apeluar vazhdimisht për shmangien e grumbullimeve, dhe respektimin e rregullave.

Vetë, Calleary gjatë një interviste të dhënë para se të merrte pjesë në darkën me 80 persona, iu bëri thirrje qytetarëve të zvogëlojnë kontaktet sociale, duke insistuar se të gjithë duhet të jepnin ndihmesën e tyre në këtë situatë.