Gjithsej 904 gra nga shtatë parti politike do të luftojnë për mandat në Parlamentin turk në zgjedhjet e ardhshme më 24 qershor, që është rekord në historinë e Turqisë, publikoi gazeta “Dejli Sabah”.

I shprehur në përqindje, nga gjithsej 4.200 kandidatë të regjistruar, 21,5 për qind janë gra, përkatësisht diçka më shumë se një e pesta.

Afati përfundimtar për dorëzimin e listave deri te Komisioni Zgjedhor ishte të hënën.

Më së shumti gra ka në listën e Partisë Demokratike Kurde të Popujve (HDP), ku 230 prej 600 kandidatëve për deputetë janë gra, përkatësisht 36,7 për qind. Në Partinë qeveritare për Drejtësisë dhe Zhvillim (AKP) janë përfshirë 126 gra nga 600 kandidatët ose 21 për qind.

Partia Popullore Republikane Opozitare (CHP) në listën e saj ka 137 gra ose përafërsisht 23 për qind, ndërsa në Partinë për aksion nacionalist (MHP) kanë kandiduar vetëm 69 gra mes 600 kandidatëve, përkatësisht 11,5 për qind.

Për momentin, në Parlamentin turk ka 82 gra, prej të cilave 34 janë nga AKP-ja qeveritare, ndërsa dy janë ministre.

Në historinë e Republikës së Turqisë deri tani ka pasur 22 gra ministre dhe vetëm një grua kryeministre, Tansu Çiler, e cila e ka kryer funksionin nga viti 1993 deri në vitin 1996.