Nuredini:Misioni ynë është të propozojmë dhe zbatojmë masa që çojnë në emetime të ulëta të karbonit

Ministri i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Naser Nuredini dhe Ambasadori Vuk Zugiq, koordinator i OSBE-së për aktivitete ekonomike dhe aktivitete për mbrojtje të mjedisit jetësor bënë hapjen e konferencës hyrëse të projektit: ‘’Përforcimi i reagimeve të sigurisë ndaj rreziqeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike në Europën Juglindore, Europën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore’’.

Marketing

Konferenca është e dedikuar për përforcimin e procesit të konsultimit rajonal për ndryshimet klimatike dhe sigurinë dhe është pjesë e projektit i cili ka për qëllim që të zvogëlojë kërcënimet lidhur me ndryshimet klimatike në Europën Juglindore, Europën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore, nëpërmjet ngritjes së vetëdijes, zhvillimit të kapaciteteve dhe këmbimit të njohurive në kuadër të rajoneve, si dhe nëpërmjet zbatimit të masave për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike në zonat më të rrezikuara gjeografike.

Në fjalimin hyrës Ministri Nuredini e theksoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investimeve me qëllim që të evitohen skenaret e mundëshme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Duke marrë parasysh që po ballafaqohemi me një krizë të trefishtë: ajo shëndetësore, kriza e mundëshme ekonomike dhe kriza e vazhdueshme klimatike, Ministri potencoi nevojën për të qenë të kujdesshëm dhe përmendi që kjo periudhë duhet të n’a shërbejë si mësim.

‘’Ne duhet të punojmë bashkë për t’i tejkaluar dobësitë në shoqërinë tonë globale. Ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit me ushqime, ngritën alarmet në shumë vende të botës dhe kjo është ajo me të cilën mund të përballemi rregullisht nëse nuk ndërmarrim masa mbi rreziqet që na paraqet ndryshimi i klimës. Misioni ynë është të propozojmë masa të politikës që ulin emetimin e karbonit dhe të rrisin qëndrueshmërinë e vendit tonë dhe rajonit përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent. Bota po ndryshon në shumë mënyra. Le të mësojmë, le të adaptohemi, le t’i bëjmë ndryshimet e duhura. Le të krijojmë të ardhmen e sigurt që duam. Së bashku!’’, përfundoi Ministri Nuredini.
Projekti realizohet si rezultat i bashkëpunimit të OSBE-së me Komisionin Europian dhe Agjencionit Austriak për Zhvillim. Përndryshe OSBE-ja përveç ndryshimeve klimatike si çështje e rëndësishme e cila diskutohet në nivel global, rajonal dhe atë kombëtar, nëpërmjet projekteve specifike e adreson edhe lidhshmërinë mes ndryshimeve klimatike dhe ndikimeve të mundëshme ndaj sigurisë.

Marketing