Nxënësit e Gjimnazit të Tetovës e vizituan laboratorin e Kimisë organike dhe Biokimisë

Në laboratorin kërkimor-shkencor të kimisë organike dhe biokimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Tetovës qëndruan për vizitë nxënësit e Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, të udhëhequr nga profesoresha e tyre Flutra Ismaili, e cila ka qenë edhe studente e Programit studimor të Kimisë. Vizita u realizua në suazat e përpjekjeve permanente të stafit akademik të Programit studimor të Kimisë, për t’i promovuar shkencat natyrore si lëmi lëvizëse të shoqërisë dhe nevoja për t’i studiuar këto fusha të rëndësishme.

Marketing

Profesori Ahmed Jashari tha se nxënësit në fillim u njoftuan me laboratorin hulumtues të UT-së, i cili ka nivelin dhe standardin evropian dhe i njëjti është në shërbim të studentëve, dhe se deri më tani një numër i madh prej tyre kanë zbatuar pjesën praktike të punimeve të diplomës, masterit dhe doktoraturës.

“Veç kësaj, nxënësit u informuan me projektet hulumtuese që zhvillohen në këtë laborator, sikurse që janë: sinteza e komponimeve të reja me aktivitet të lartë antikancerogjen, modifikimi i sipërfaqes së materialeve, izolimi i parfumeve, etj. Pastaj u zhvilluan edhe disa eksperimente interesante për nxënësit, sikur “shkuma e elefantit”, “gjarprit dhe monstrat”, “alkooltesti”, me të cilin policët kontrollojnë vozitësit se a kanë konsumuar alkool apo jo, dhe në fund prodhimi i ASPIRIN-it’’, theksoi Prof. Dr. Ahmed Jashari.

Pas kësaj vizite në laboratorin e kimisë organike dhe biokimisë, nxënësit u shprehën tejet të kënaqur dhe njëkohësisht shfaqën interes për rolin e shkencave natyrore.

Marketing