Nxënësit shqiptarë mësojnë në gjuhën maqedonase

Dhjetëra nxënësve shqiptarë të shkollës fillore “Njegosh” në Idrizovë, tashmë disa vjet u mohohet e drejta që nga klasa e pestë e deri në të nëntën të ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.

Marketing

Të revoltuar për këtë situatë, prindërit dhe fëmijët kanë bojkotuar mësimin dhe shtojnë se i njëjti do të vazhdojë deri në zgjidhjen e këtij problemi, njofton Alsat – M.
Dëshirojmë që shkolla të vazhdojë deri në klasë të 9-të në gjuhën shqipe. Deri në të 5-tën mësojnë shqip, më pas duhet të regjistrohen në Gazi Babë. Domethënë duhet të udhëtojnë çdo ditë. Për një fëmijë 10 vjeçar të udhëtojë më autobus është shumë rëndë.”

– Çfarë problem ka? Pse të mos shkosh në klasën e 6-të?
– Sepse këtu është vetëm maqedonisht, dhe nuk na japin në klasën e 6-të edhe shqip.
-Ti në çfarë gjuhe dëshiron të mësosh?
–Shqip.

Jemi duke bojkotuar mësimin pse nuk na jepet mundësia që të mësojmë në gjuhën shqipe deri në klasat e 9-të. Nuk na jepet leje që disa vite. Pengesa ka mbetur tek shkolla dhe tek kryetari i Komunës, i cili nuk i dërgon kërkesën Ministrisë së Arsimit”-tha Rizvan Seferi, prind.

Prindërit akuzojnë drejtorin e shkollës, Nikolla Nastevski, se në listën që dorëzon në komunën e Gazi Babës, ul numrin e nxënësve shqiptarë. Komuna, duke u bazuar në atë listë, ku sipas prindërve figurojnë vetëm dy nxënës, thotë se nuk mund të hapet paralele për një numër aq të vogël.

“Ekipet e gazetarëve shkuan deri tek zyra e drejtorit, pa praninë e kamerave, për të kërkuar sqarim prej tij, se vallë a ka kërkuar që të hapet edhe një paralele në gjuhën shqipe. Megjithatë në mënyrë shumë të pasjellshme i largoi ekipet e gazetarëve dhe u mbyll brenda në zyrën e tij”.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, shprehet se dikasteri që ai drejton është i gatshëm, që sapo Komuna e Gazi Babës të dorëzojë dokumentacionin dhe kërkesën e nevojshme, menjëherë të japë aprovim për hapjen e paraleles. Sjelljen e drejtorit të shkollës ndaj ekipeve të gazetarëve, ministri i arsimit e quan të pa tolerueshme dhe të pahijshme për një drejtues shkolle apo mësimdhënës.

Askush nuk guxon të cenojë të drejtën e fëmijëve për të ndjekur mësimin në gjuhën amtare. Kemi pasur komunikim me kryetarin e Komunës së Gazi Babës dhe kemi kërkuar që seriozisht ta shqyrtojë këtë çështje dhe të dorëzojë kërkesën deri në Ministri të Arsimit, duke i siguruar që Ministria e Arsimit do të japë pëlqim që ajo kërkesë e prindërve edhe të jetësohet”-tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

I kontaktuar me telefon, kryetari i Gazi Babës, Boris Georgievski, komunë e cila edhe duhet të dorëzojë deri në ministri kërkesën për hapjen e paraleles, thotë se nuk është i informuar me këtë rast, andaj shton se pasi të marrë informacione më të detajuara, nesër do të dalë me qëndrim.