Nxënësja nga Prishtina shet pikturat për të blerë ilaçe për vete

Një nxënëse nga Prishtina, e cila vuan nga një sëmundje e rrallë, pikturon dhe i shet ato për të blerë medikamente për vete.

Ilaçet që ajo përdorë kushtojnë mijëra euro dhe mund të blihen vetëm jashtë Kosovës.

“Çdo para që e kam prej pikturave, nëna mi ka siguruar veç për terapi. Terapia mujore shkon deri në 1000 euro. Por më shumë nuk di, pasi nëna nuk më tregon”.

Marketing

“I falënderoj të gjithë. Ia kam arrit përmes pikturave të siguroj terapinë”, thotë Yllka që vuan nga Fibroza Cistike, një sëmundje që dëmton organet e brendshme, raporton Rel.

Ajo aplikon artin me pika, një metodë e re që përdoret sot shumë në botë.

“Mua më pëlqen të bëj edhe piktura të mëdha, por më shumë më pëlqejnë ato të vogla sepse dalin më mirë, më të mbushura”, tregon ajo, përcjell Telegrafi.

Yllka thotë se ka vendosur të ndjek një kurs të artit me pika.

Ka një vit që kur Yllka ka filluar të shes pikturat e saj.

Nëna e saj thotë se kohët e fundit pikturat e Yllkës nuk po shiten si në fillim.

“Në qoftë se ka të interesuar për të blerë piktura, Yllka mund ta sigurojë terapinë… Kostoja mujore e terapisë është shumë e lartë. Ajo kushton nga 1, 600 deri në 2,100 euro. Varet si e gjejmë, pasi në Kosovë nuk ka terapi të tillë. Ajo mund të sigurohet vetëm në Gjermani, Itali, Zvicër apo në Amerikë”, thotë e ëma e vajzës.

Yllka ndjek mësimet në klasën e nëntë në Shkollën fillore ‘Dardania” në Prishtinë dhe është nxënëse e shkëlqyeshme.

Në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta, por vlerësohet se janë rreth 100 fëmijë që vuajnë nga Fibroza Cistike.

Pas shumë kërkesave nga familjarët, më 20 shtator Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që ilaçet për Fibrozën Cistike t’i fus në listën e barnave esenciale.

Marketing