Mungesa e kuadrit profesional në tregun e punës është rezultat i politikës regjistruese e cila nuk po arrin t’u përshtatet nevojave të ekonomisë. Kështu vlerësojnë nga Oda Ekonomike, ku potencohet se edhe më tej vetëm 24 për qind prej numrit të përgjithshëm të nxënësve regjistrohen në shkollimin profesional, ku 22 për qind përzgjedhin drejtimet mjekësore, ekonomike apo juridike.

Një numër i vogël i nxënësve regjistrohen në industrinë e tekstilit, xehetarisë, turizmit, ndërtimtarisë, apo kimisë, sfera në të cilat vërehet mungesë e madhe e kuadrit të kualifikuar. Për të ndryshuar kjo gjendje në komisionet komunale ku formulohet nevoja për profile, përveç përfaqësuesve nga MASh dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit, duhet të ketë edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike për të përcaktuar me saktësi se cilat kuadro i nevojiten tregut.

“Tani formohet komisioni dhe kërkesa jonë është që para formimit të saj të ketë anëtarë nga komuniteti i biznesit, sepse ne, duke u bazuar në analizat që i kemi realizuar në teren, e dimë me saktësi se cilat kualifikime duhen, ku janë të nevojshme dhe këto të merren parasysh gjatë hapjes së konkursit për regjistrimin e nxënësve dhe duhet ndërprerë rritja e numrit të paraleleve të gjimnazit, nëse duam që të kemi shtet ekonomikisht stabil, duhet t’i mendojmë edhe nevojat e kompanive për kuadro profesionalë.”,- tha Natasha Janevska nga Oda Ekonomike.

Në industrinë e përpunimit të mishit mungojnë persona të kualifikuar, edhe pse paga fillestare mujore është 30 mijë denarë me mundësi për avancim më të madh.
“Mungojnë kuadro për prodhimin e mishit dhe kjo ndikon tek industria e mishit ku punohet me mish të freskët, si thertore të kafshëve, kasapë dhe kemi nevojë për këto profile, sepse tani për tani duhen kualifikime shtesë për të punësuarit që kemi.”,- tha Zharko Angeleski nga Eksta Meni – Kumanovë.

Nga Oda Ekonomike në bashkëpunim me MASh-in vijojnë aktivitetet në shkolla të mesme për promovimin e arsimit profesional, me moton shkollimi profesional kyç me qëllim që pas përfundimit të shkollimit të mesëm punësimi është i garantuar.