Oficeri shqiptar i diplomuar nga Akademia e Marinës së SHBA

Mario Trupja është bërë studenti i dytë shqiptar që diplomohet në Akademinë e Marinës në Shtetet e Bashkuara, një ndër institucionet më prestigjioze që përgatit kuadro-elitë të ushtrisë amerikane.

Marketing

Ai do të shërbejë me Forcat Detare shqiptare, në kuadër të një programi që mundëson aftësimin e një brezi të ri ushtarakësh në vendet anëtare të NATO-s.
Mario është një prej 1.052 studentëve që përfunduan studimet sivjet në këtë akademi, pas një pune të mundimshme katërvjeçare. Ai i tregoi “Zërit të Amerikës” se ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë.

“Ka qenë e vështirë. Ka pasur etapat e veta. Shoku i parë kulturor, ushqimi, shoqëria, gjuha, duhej të mësoheshe në fillim me mënyrën e jetesës. Plus që Akademia kishte traditat e veta me të cilat duhej të mësohesha, trajtimi, orari shumë i ngjeshur… Normalisht, tani është një moment shumë i veçantë, është momenti kulminant i gjithë asaj pune”, tha Mario Trupja.

Shkollimi në Akademinë e Marinës amerikane ndërthur një stërvitje të fortë fizike dhe punë akademike rigoroze, në një degë si ajo e inxhinierisë dhe arkitekturës detare, ku u diplomua Mario.

Edhe pse vetëm më pak se një përqind e studentëve që pranohen në këtë akademi janë ndërkombëtarë, studenti shqiptar nuk e ka ndierë veten asnjëherë si i huaj dhe ka arritur të krijojë një shoqëri të mirë.

Shqipëria po jep kontributin e saj modest në forcat e NATO-s dhe diplomimi i studentëve si Mario në akademitë ushtarake amerikane, – siç thotë “VOA”, – do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura shqiptare drejt standardeve të aleancës, veçanërisht në operacionet paqeruajtëse.

Marketing