OH ‘El Hilal’ shënoi 7 Marsin, Ditën e Mësuesit

Organizata Humanitare El Hilal sot në ambientet e librarisë Nobel në Çarshinë e Vjetër të Shkupit e shënoi aktivitetin e vet programor, 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, të cilin tradicionalisht pandërprerë e  feston nga viti 2004. Si çdo vit, edhe këtë vit u fol për rëndësinë e kësaj date për arsimin shqip me ç ‘rast u dekoruan arsimtarët veteranë me mirënjohje dhe u dhanë libra për bibliotekat e shkollave në vendet rurale.
Pedagogët dhe veprimtarët, Etem Xheladini nga Kumanova, njëherësh edhe aktivist volonter i El hilalit dhe Imer Bislimi nga Studeniçani i Shkupit, sivjet morën mirënjohje për kontributin e tyre në arsimimin e gjeneratave të reja në vazhdimësi dhe në sferën bamirësisë, gjë që e kanë dëshmuar vite me radhe.
Shkollat Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Haraçina, Liria nga fshati Vërtok i Gostivarit dhe Braqa Milladinovci nga Draçeva e Shkupit të  përfaqësuar nga drejtorët e tyre, Azam Aki, Abdylkader Selimi dhe Nebi Rexhepi morën nga një pako me nga 110 tituj,  libra si dhuratë nga El Hilali. Librat e dhuruara ishin siguruar nga shtëpi të ndryshme botuese.
Mirënjohje iu nda edhe z.Latif Mustafës, pronar i librarisë Nobel, i cili mundësoi që ky eveniment të organizohet në ambientet e kësaj foleje të dijes dhe të fjalës së shkruar.
Këtë ngjarje e hapi dhe e udhëhoqi Ali Sadiku, sekretar i El Hilalit, ndërkaq fjalë rasti për rëndësinë e kësaj feste mbajti Talat Sadiku, nënkryetar i El Hilalit, njëherësh edhe veteran i arsimit. Të pranishmit,  në mesin e të cilëve ishin edhe studentët bursistë të  El Hilalit, i përshëndeti kryetari i Organizatës Behixhudin Shehapi, i cili theksoi se kjo datë, dija, mësuesit dhe studentët kanë aq shumë peshë në El Hilal, sa që edhe në këtë situatë pandemie, edhe pse me reduktime të shumta,  u gjet mënyra për të qenë bashkë duke e shënuar ditën e mësuesit, të cilin  tradicionalisht e festojmë vite me radhë.
Në fund u nda kësti i dytë bursave studentore për vitin akademik 2020/2021 dhe me një koktej modest përfundoi evenimenti.
Marketing