Komuna e Ohrit dëshiron t’i transferojë në Ohër disa prej përmendoreve nga projekti i diskutueshëm “Shkupi 2014”.

Kryetari i komunës Jovan Stojanovski thotë se në fillim duan të zhvendoset përmendorja e Car Samoilit, por, ata do të presin të përfundojë i tërë revizioni i projektit, me të cilin udhëheq komisioni në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

“Qëndrimi jonë është se vendi i Car Samoilit është në Ohër dhe për këtë arsye ne synojmë më tej, deri në përfundim të revizionit, të kërkojmë që përmendorja të transferohet në Ohër. Le të presim. Së shpejti presim rezultat pozitiv” – deklaroi Jovan Stojanovski, kryetar i Ohrit.

Stojanovski thotë se deri më tani kanë biseduar me Kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës në lidhje me këtë çështje. Ai thotë se po mendojnë për një lokacion të mundshëm ku do të vendoset përmendorja. Kohët e fundit, edhe Shoqata “Bogojavlenie” nga Ohri kanë dërguar kërkesë në vetëqeverisjen lokale, që ta marrin në Ohër edhe përmendoren e Hristo Uzunovit, e cila është gjithashtu pjesë e projektit Shkupi 2014.
“Ne besojmë se tani janë krijuar kushtet, të adresohemi te kryetari i Qytetit të Shkupit dhe gjithashtu te Qeveria e Maqedonisë, që ta shqyrtojnë këtë kërkesë” qëndron në kërkesën e dërguar deri te kryetari i komunës.

Qytetarët janë të ndarë në mendime nëse është e nevojshme të sillen në Ohër përmendore nga Shkupi.

“Të tjerët vendosin për këtë. Për Car Samoilin, atë duhet transferuar më shumë në Ohër ose Prespë.”

“Do të thosha ku është tani, le të mbetet atje, më mirë. Pse të bëjmë shpenzime. Pak probleme kemi, edhe kjo na duhet. Përse ta transferojnë? Ajo çfarë duhet më shumë është gjelbërimi” – shprehen qytetarët.

Përndryshe, analiza e rrjetit hulumtues BIRN tregon se qeveria e mëparshme e VMRO DPMNE-së ka shpenzuar 33 milionë euro për instalimin dhe përpunimin e gjithsej 34 përmendoreve. Për këtë projekt Prokuroria Speciale ka hapur lëndë. Ministri i kulturës, në largim, Robert Allagjozovski në dhjetor të vitit të kaluar theksoi se shumica e këtyre përmendoreve u vendosën pa leje, ose janë bërë shumë shkelje në procedurat e ndërtimit.

Grupi i punës në ministrinë përkatëse bën revizion të projektit dhe tashmë ka rekomanduar largimin e përmendoreve të “Luftëtarit në kalë” në sheshin e Shkupit dhe përmendoren e Nënës Terezë. Përmendorja e Andon Janev Qoseto tashmë është larguar.