Një debat i ashpër e karakterizoi seancën e sotme të zhvilluar në Komisionin për Financim dhe Buxhet mbi projektligjin për lehtësimin e borxheve…

Sipas organizatave joqeveritare, ky projektligj është diskriminues dhe nuk mbulon shpenzimet e qytetarëve që kanë ndaj noterëve dhe përmbaruesve.

Në të njëjtën kohë nga sektori joqeveritar kërkuan nga Qeveria tërheqjen e plotë të ligjit.

“Ka disave që u është shkyçur uji, energjia elektrike dhe ka qytetarë që paguajnë faturat e telefonit nga 12 vjet më parë. Me këtë projektligj qytetarët janë lënë në vullnetin e mirë të noterëve dhe përmbaruesve që gjithashtu nuk janë të përfshirë në këtë ligj. Kërkojmë ndryshime në shlyerjen e borxhit jo më të vjetër se 3 vjet për të gjithë personat fizikë, sepse ndryshe, regjimi i korrupsionit vazhdon dhe krijohen dallime në klasa”,- deklaroi Anna Gligorova nga Shoqata “Njeriu mbi përfitimin”.

Edhe nga Shoqata joqeveritare “No Passaran” për këto probleme ligjore akuzuan ish-ministrin e drejtësisë, Mihajlo Manevski, dhe kërkuan që përgjegjësia të kërkohet nga ky i fundit.

Ndërkohë, nga pushteti arsyetuan ligjin e propozuar tashmë, ngase, siç thanë, bazohet në problemet reale që kanë qytetarët në lidhje me pagesat ndaj shërbimeve komunale, elektrike, telefonike etj.

“Nga reagimet e shumta të qytetarëve lindi nevoja për një rregullativë ligjore adekuate me një ligj special, e cila do t’i dedikohet vetëm këtij grupi të borxhlinjve për këtë obligim specifik, i cili e ka edhe arsyen e vet. Por, edhe përkundër reagimeve të qytetarëve dhe të shoqatave të ndryshme, në këtë rast kemi gabim evident në funksionimin e sistemit ligjor në pjesën e funksionit ekzekutiv”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Panço Minov.

Deputeti, Panço Minov, i cili është edhe një nga hartuesit e ligjit, gjithashtu theksoi se të gjitha sugjerimet e shoqatave do të merren parasysh dhe shtoi se projektligji në fjalë përfshin më shumë se 200,000 raste.