Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017.

Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës.

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje. Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, përcjell kp.

Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë. Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara. Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Në vendet që sot janë në tranzicion, ky proces ka ndodhur në më pak se 23 vjet. Projeksionet tregojnë se për Brazilin dhe Kolumbinë, dyfishimi i numrit të të moshuarve do të kërkojë vetëm 22 vjet. Kjo qasje e re e popullsisë po prodhon një tranzicion të ri demografik për këto vende që do të duhet të përshtaten shumë shpejt me një strukturë të re popullsie.

Popullsia e Shqipërisë, jo vetëm që do të plaket, por strukturat e plakjes parashikohen të ndryshojnë në të ardhmen. Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë të të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011.

Deri tani, varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune përgjatë 2000-2011. Varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare). Në dekadën e dytë të projeksioneve, tendenca e varësisë të të rinjve varet nga skenari, me një tendencë stabilizimi ose të një rënieje të lehtë. Tendenca në rritje e varësisë të të moshuarve do të intensifikohet kur brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës baby-boom të fillojnë të arrijnë moshën e pensionit në vitet 2020.

Raporti i Kombeve të Bashkuara zbuloi se në Shqipëri, sipas të dhënave që i referohen deri në vitin 2009, 13% e të moshuarve mbi 60 vjeç jetonin vetëm, teksa raportohen se rreth 60% e të moshuarve jetojnë me fëmijët dhe pjesa tjetër rreth 30% jetojnë me bashkëshortin ose bashkëshorten. Mirëpo raportet mund të kenë ndryshuar shumë në këto tetë vite, kur më shumë persona të moshuar jetojnë vetëm. Kombet e Bashkuara vërejnë se personat që jetojnë vetëm në rang global janë rritur shumë.

Disa të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik zbulojnë se në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit, tregojnë se më shumë se 2/3 e të moshuarve janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë 1/3 e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo problem shëndetësor. Vetëm 12% e të moshuarve raportojnë se nuk kanë pasur nevojë për të përdorur shërbimet shëndetësore gjatë pesë viteve të fundit.

Varianti pesimist parashikon që në vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar me përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1,6 milionë banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar.