OKB konfirmon letrën e Maqedonisë dhe Greqisë për hyrjen në fuqi të marrëveshjes

Emri i ri i vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut filloi të zbatohet brenda, ndërsa ka filluar edhe procesi i informimit të bashkësisë ndërkombëtare për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.

Marketing

Maqedonia dhe Greqia kanë dërguar letër të përbashkët deri te sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guteresh, me të cilën e informojnë për datën e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të shënuara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e validitetit të Marrëveshjes së përkohshme nga viti 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik mes palëve.

KB-ja dje konfirmoi se kanë marrë njoftim dhe paralajmëruan se menjëherë për emrin e ri do të informohen Këshilli i Sigurisë dhe Asambleja e Përgjithshme.

Në afat sa më të shpejtë, siç konfirmoi MPJ për MIA-n, për ndryshimin e emrit do të informohen edhe vendet anëtare, shtetet mbikëqyrëse të KB-së, si dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.

Pasi Maqedonia edhe zyrtarisht e mori notën verbale greke se ka përfunduar ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës dhe i Protokollit për anëtarësim në NATO, Qeveria në Shkup kumtoi se zyrtarisht fillon zbatimi i emrit të ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut.

Tabela kufitare me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut për tri ditë, targa të reja regjistrimi për katër muaj, pasaporta të reja në fund të vitit, ndërsa bankënota të reja nga viti 2020, janë një pjesë e masave të cilat duhet të zbatohen pasi pardje hyri në fuqi Marrëveshja me Greqinë.

Mbishkrim me emrin e ri dje ishte vendosur në vendkalimin “Bogorodicë”, në kufirin me Greqinë. Në tabelën e vjetër ishte vendosur mbishkrim me emrin e ri të shënuar në gjuhën maqedonase dhe angleze. Po ndërrohen edhe tabelat në vendkalimet e tjera kufitare.

Sipas planit të Gripit ndër resor të formuar nga Qeveria për kryerjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Prespës, targat e reja për automjetet pritet që të jepen në mes të majit, ndërsa dokumentet e udhëtimit në fund të vitit.

Ndërrimi i dokumenteve të udhëtimit dhe targave me emrin e ri të shtetit do të bie mbi kurrizin e qytetarëve.

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski dje në konferencën për shtyp sqaroi se deri në dhënien e targave të reja do të përdoren etiketa me shenjën RMV të cilat do t’iu jepen qytetarëve në vendkalimet kufitare gjatë daljes nga shteti.

Nga ana tjetër Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë duhet ta fillojë procedurën për furnizim me dokumente të udhëtimit.

Dokumentet e vjetra kanë afat deri në skadimin e afatit teknik i vërtetuar me Marrëveshjen e Prespës, e ky është pesë vite. Kjo nënkupton se secili qytetar në kuadër të procedurës së rregullt kur do ta ndërrojë pasaportën, do ta marrë të riun dhe do ta paguajë çmimin i cili është i rregullt për ndërrim të dokumenteve të udhëtimit.

Emri i ri në komunikim me mediet tashmë kanë filluar ta përdorin Qeveria dhe Kuvendi, ndërsa pritet që këtë ta bëjnë edhe institucionet e tjera shtetërore.

Sektori qeveritar për marrëdhënie me publikun në afat prej shtatë ditëve duhet të përpunojë Libër të standardeve grafike me të cilën do të konfirmojë standarde për shfaqjen e emrit kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut në përputhje me stemën e shtetit si llogo të cilën e përdorin institucionet shtetërore për tabelat publike në hyrje të të gjitha institucioneve. Sekretariati i përgjithshëm në afat prej shtatë ditëve duhet të përgatis softuer i cili do t’i përmbajë të gjitha institucionet në nivel shtetëror dhe lokal, si dhe dimensionet e tabelave publike. Ndërrimi i të gjitha tabelave, në nivel qendror dhe lokal, duhet të përfundojë në afat prej katër muajve.

Të gjitha institucionet duhet të bëjnë ndryshim të të gjitha shënimeve digjitale (llogo, memorandum, komunikime elektronike, ueb faqe, medie, etj) në afat prej tri ditëve. Të gjitha institucionet duhet në mënyrë adekuate t’i ndryshojnë memorandumet, materialet e shtypura, indikatorët, në afat prej dy javëve.

Ministria e Punëve të Jashtme, duhet t’i zëvendësojë tabelat në Ministri, si dhe vulat në afat prej dy javëve, ndërsa në përfaqësitë diplomatike-konsullore në afat prej tri javëve.

Marketing