OKB: Koronavirusi mund t’i rrisë pasiguritë ushqimore në Afrikë

Përhapja e koronavirusit rrezikon të shkatërrojë vendet në Afrikën Lindore, ku pasiguritë ushqimore mund të dyfishohen brenda tre muajsh, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.

Marketing

Programi Botëror për Ushqim – agjenci e OKB-së – llogarit se rreth 20 milionë njerëz aktualisht nuk kanë ushqime të sigurta.

Bëhet fjalë për popullsinë e nëntë vendeve: Burundi, Xhibuti, Etiopia, Eritrea, Kenia, Ruanda, Somalia dhe Uganda.

Krahasuar me vendet e tjera të botës, këto shtete deri më tash kanë regjistruar më pak raste me koronavirus.

Megjithatë, për shkak të ekonomive të dobëta dhe infrastrukturës së dobët shëndetësore, ato konsiderohen tejet të cenueshme nga ndikimi i pandemisë.

“Parashikimet e Programit Botëror për Ushqim aktualisht janë që numri i njerëzve me ushqime të pasigurta në rajon, të rritet në 34 deri në 43 milionë gjatë tre muajve të ardhshëm, për shkak të ndikimit socio-ekonomik të COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]”, u tha zëdhënësja Elisabeth Byrs gazetarëve në një konferencë virtuale.

Ajo tha se Programi Botëror për Ushqim ka nevojë urgjente për më shumë se 500 milionë dollarë për tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm, për të zgjeruar operacionet në Afrikë.

Pandemia, e cila ka vrarë gati 212,000 njerëz në gjithë botën, ka krijuar “krizë të paparë”, tha Byrs.