Ollogu: Edi Rama ndryshimi që duhet

Nga Alpin Ollogu

Marketing

Duket paradoks, megjithatë Edi Rama është ndryshimi që duhet, edhe pas dy mandatesh që qeveris Shqipërinë. Lidershipi Rama, kundrejt politikës oponente garuese në zgjedhjet e 25 prill, me lidership të deleguar nga politika e vjetër, ka dëshmuar se është lidership i ndryshimeve të nevojshme, frymëzuese e politikave autonome, pavarësisht dobësive sporadike në rrugëtimin qeverisës të tetë viteve të shkuara.
Janë disa prej fakteve kokëforta, të poshtëshënuara në vija të përgjithshme, që na bën të besojmë çdo ditë e më shumë, edhe ne shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, arsyen se pse mendësia e politikës së vjetër duhet anashkaluar, dhe pse qeveria aktuale duhet të vazhdojë me mandatin e tretë, si një politike e re progresive.
Politika e vjetër, e futur në garën elektorale me kandidatë të dirigjuar për kryeministër, para së gjithash është përgjegjëse e shumëfishtë për vrasjet e 21 janarit, ku u vranë mizorisht katër protestues të cilët protestonin për skandalin e korrupsionit të Ilir Metës. Askush nuk u ndëshkua për vrasjet mizore në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, gjë e cila në një vend normal nuk mund të ndodhte pa u ndëshkuar. Gjyqtarët e kohës së asaj qeverisjeje, gjykuan turpshëm 21 janarin duke shfajësuar kryerësit e veprave të rënda penale. E ndërsa sot, në qeverisjen Rama, u shkarkuan nga vetingu në drejtësi, për mos-justifikim pasurie, me premtimin qeverisës së do të merren edhe në përgjegjësi penale. Gjithkush mund të ishte viktimë e asaj ditë të kobshme kur shqiptarë të indinjuar, kërkonin llogaridhënie për korrupsionin e vlerave të mëdha, me zë e figurë të bashkëqeverisësit Meta. Viktimë e atij akti të paprecedentë vrasje protestuesish, mund të ishte gjithkush, mund të isha edhe unë, si shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që në atë ditë, si student në Tiranë (atekohë simpatizant i apasionuar i të djathtës shqiptare, si pjesë e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë, pasi për ne e djathta simbolizonte rrëzimin e komunizmit) gjendesha jo më larg se 8-9 metra nga vrasja e njërit prej protestuesve të pafajshëm, për të protestuar mbi korrupsionin me zë e figurë.
A nuk është politika e vjetër ajo që sot garon sipërfaqësisht me kandidatë të dirigjuar për kryeministër, përgjegjëse për lejimin e skemave piramidale dhe gjithë asaj humbjeje që i shkaktoi shoqërisë shqiptare, të mirave publike dhe jetë njerëzish, trazirat e 97-tës, e cila ndodhi pas falimentimit të këtyre skemave, ku shqiptarët humbën 1.2 miliardë kursime të tyre. Atëbotë, kur thirrjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar drejtuar qeverisë së atëhershme, për ti mbyllur sa më shpejt ato skema, ishin thirrje që hasën në vesh të shurdhët.
Ёshtë politika e vjetër, ajo e 26 vdekjeve në Gërdec, ku u vranë shpirtra të pafajshëm njerëzish, politikë që sot kërkon të marrë pushtetin pa dhënë llogari. Askush nuk dha përgjegjësi për shpërthimin në depon e municioneve në Gërdec të Vorës. Të gjithë ja kaluan paq, në dyert e atij sistemi të drejtësisë së asaj politike. Ndërsa sot, është fakt kokëfortë se gjyqtarët e çështjes Gërdeci, janë të shkarkuar për mosjustifikim pasurie, nga vetingu në drejtësi i qeverisë Rama.
Politika e vjetër korruptive e Ilir Metës, Presidentit aktual të shpërfytyruar moralisht dhe institucionalisht të Shqipërisë, e cila kandidon në zgjedhje e 25 Prillit, me dorën e zgjatur të Monika Kryemadhit, është alternativë zgjedhore, kundrejt politikës së ndryshimit të Kryeministrit Rama. Në politikën e vjetër, ku u gjykua turpshëm skandali korruptiv i Metës, me pafajësi totale të tij. Por në qeverisjen e ndryshimit, të njejtët gjyqtarë u shkarkuan nga vetingu në drejtësi, për mosjutifikim pasurie, përjashtuar gjyqtarin Ardian Dvorani, i vetmi i cili u pozicionua për fajësinë e Ilir Metës. Theksojmë Ardian Dvoranin të cilin së fundmi Ambasada Amerikane e vlerësoi me çertifikatën e Kampionit kundër korrupsionit, në mesin e 12 personaliteteve nga e gjithë bota, në luftën kundër korrupsionit dhe luftës kundër ndikimit politik në sistemin e drejtësisë. Kjo si një vulë e pamohueshme për fajësinë e skandalit korruptiv të dalë nga video Meta–Prifti.
Kryeministri Rama, edhe pas dy mandateve qeverisje, është ndryshimi që duhet. Njeriu i cili me guxim kundrejt bandave kriminale, ndryshoji Tiranën nga kaosi dhe ndërtimet e egra gjithandej në territorin e saj, me vizionin për të bukurën dhe të ligjshmen. Ndryshoi dhe po ndryshon dita ditës fytyrën e gjithë qyteteve shqiptare, nga jugu në veri, thuajse edhe në vendbanimet më të thella. Transformim, nga kaosi dhe shëmtia, në rregull dhe bukuri, në ngritjen e vlerës së pronës, turizëm dhe mirëqenie më të mirë. Ёshtë Kryeministri që shumëfishoi turizmin dhe të ardhurat prej tij, rrjedhimisht edhe impakt në ekonominë shqiptare, në qeverisjen e të cilit nga 3.5. million vizitorë–turistë, kaloi në 6 milionë turistë. Nga 1 miliardë euro të ardhurash, në 2 miliardë euro (përjashtuar periudhën e pandemisë). Pikërisht kjo si rezultat i kësaj qasjeje urbanistike dhe sistemit të sigurisë publike, në krahasim me çka qenë. Faktor determinant për shtimin e investimeve të huaja. Së fundmi me mega projektin e investimit të huaj prej 2 miliard eurosh në portin e Durrësit, si një rubin Ballkanik i turizmit dhe tregtisë se rrugëve detare.
Argumentet dëshmojnë më shumë se ambicjet personale e klanore, verbëria partiake dhe gjendja emocionale – politike e oponenteve të qeverisjes Rama. Ambicjet që argument të vetëm rrotacioni qeverisës kanë periudhën 8 vjeçare dhe punësimet dhe avancimet personale e klanore, kundrejt një të mire të përgjithshme kombëtare.
Gjatë qeverisjes Rama, është fakt kokëforë se Fondi Monetor Ndërkombëtar, Banka Botërore, thuajse për çdo vit (përjashtuar periudhën e pandemisë), në raportet zyrtare ka dhënë vlerësime pozitive për ekonominë shqiptare, ku treguesit kryesor të stabilitetit ekonomik, fiskal dhe financiar, janë përmirësuar dukshëm nga viti në vit. Gjatë vitit të pandemisë dhe recensionit prej saj, FMN-ja në vjeshtën e vitit të kaluar, kishte projektuar rënie të ekonomisë shqiptare në 7.5%, por tani ky recension u vërtetua nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, se është vetëm në 3.3%. Në tabelën e rajonit Shqipëria spikat si vendi i dytë që ka pasur efektet më të pakta nga pandemia. Ndërsa shtete të ngjashme me ekonominë shqiptare, ku ka një peshë të konsiderueshme turizmi, si Mali i Zi për shembull, ka pësuar një recension në nivelin 15.2%. Në regjistrin e punës të Republikës së Shqipërisë në vitin 2013 kishte 473.506 vetë të regjistruar dhe në fund të 2019 kishte 698.235 punonjës të regjistruar, janë 225 mijë më shumë që paguhen dhe paguajnë sipas vendit të punës së tyre.
Ёshtë Kryeministri që ringjall edhe fshatrat shqiptare, si një burim i madh ekonomik për vetë banorët dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit. Vendi është shndërruar në kantier ndërtimi gjithandej, me punime publike që nga Rruga e Arbërit, bajpasi i Vlorës, i Fierit, autostradat rreth bregdetit, rrugë edhe në fshatrat më të largëta, për ngritjen e turizmit malor në bukuritë shqiptare. Rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave, aeroporteve, porteve e spitaleve, me standarte ndërkombëtare. Të gjitha këto si një gjëmë e pakuptushme në mendjet e kundërshtarëve të politikës së vjetër, të polikës me përfaqësues sipërfaqësor të rinj, të cilët nga xhelozia dhe egoizmi për pushtet, mohojnë edhe vetë Diellin në një qiell të pastër, për interesa të ulëta pushteti.
Ishte qeveria Rama që vendosi rregullin e pagasave të faturave elektrike dhe ujit, nga kaosi, mospagesa dhe vjedhja anormale që bëhej në qeverisjet e vjetra, që sot kërkojnë të marrin pushtetin me të njejtën natyrë, por me pamje artificiale. Duke vazhduar me rivendosjen e rregullit në arsimin e lartë, kontrollin dhe akreditimin e universiteteve private, nga kaosi dhe biznesi i diplomave në universitete – kioskë, të qeverisjeve të vjetra, qofshin ato të drejtuar nga Socialistët e Fatos Nanos, apo Demokratët e Saliut.
Kujtojmë që në politikën e vjetër, ajo që fatkeqësisht konkuron Kryeministrin Rama në zgjedhjet e 25 Prillit, vazhdoi ta jetësohet republika e Lazaratit, fshati i trafikantëve të mëdhenj të Shqipërisë e më gjerë, që shteti shqiptar de fakto kishte humbur sovranitetin territorial. Dhe ky është një fakt tjetër i pamohueshëm. Në gjithë qeveritë e politikës së vjetër, drejtuar nga socialistë apo demokratë. Lazarati ishte i paprekshëm, për 15 vite rradhazi. I paprekshëm deri në 15 qershor të viti 2014, kur forcat e ndryshme të policisë shqiptare të qeverisë së parë Rama, me konfrontime të ashpra zjarri me trafikantët që kishin marrë sundimin, e çliruan përfundimisht gjithë territorin e tij, me luftimet e deri të Ejten e 19 qershorit 2014. Kështu bie përfundimisht “republika e mariuhanës” në territorin e shtetit Shqiptar.
Me këtë rritëm gjatë gjithë qeverisjes Rama luftohen narkotikët në gjithë territorin. Luftë dhe sekuestrim të kanabisit, që opozita e politikës së vjetër e përkthen padrejtësisht në shtim të kanabisit në Shqipëri. Ndërsa faktet flasin ndryshe. Sasia e mariuhanës e kapur vetëm ne 9 muajt e parë të vitit 2014, fill mbas fillimit të qeverisë së parë Rama, ishte 109.7 ton, më shumë sesa sasia e përgjithshme prej 96 tonësh, e ndaluar nga viti 2005 – 2013. Sipas raportit të misionit italian Guardia di Financa në vitin 2016, theksohet që: në vitin 2012 asgjësimi i kanabisit në Shqipëri ishte 0%, ndërkoh që në 2016 ka shkuar në 99,8%, ku janë identifikuar 400 autorë të perfshirë në kultivimin e drogës dhe të arrestuar rezultojnë 248 persona. Në raportin vjetor të strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në Mars të vitin 2021, vlerësohet se autoritetet shqiptare kanë rritur përpjeket për çrrënjosjen e kanabisit, duke i detyruar trafikantët të spostojnë oparacionet e tyre në vendet fqinje, kryesisht në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut.
A nuk është përsëri Rama, lideri i cili me vendosmëri luftoi bastoret sportive, lojërat e fatit që zhvasnin pamëshirshëm qytetarët shqiptarë anekënd Shqipërisë, të mbirë si kërpurdha mbas shiu. Njëkohësisht u bë model për luftimin e fenomenit negativ të lojërave të fatit në gjithë rajonin, shembullin e të cilit e ndoqi shteti i Kosovës, duke shkaktuar nxitje dhe tentim reforma të natyrës së tillë edhe në Maqedoninë e Veriut.
Andaj, Rama aktualisht ështe i vetmi ndryshim që i duhet Shqipërisë, pakrahasimisht më i mirë se oponentët e tij. Madje ai është edhe përtej Partisë Socialiste, kundërshtar i rrepte i politikave të ish kryesocialistit Faton Nano. Kryeministër me politikat e bindjeve të veta autentike, që pavarësisht se ndonjëherë edhe të gabuara, gjithsesi, ka dëshmuar vizion ndryshimi përparues.
Në kohë rekord dhe sukssesshëm u përball me termetin shkatërrimtar të 26 Nëntorit, pandeminë, gjetjen dhe vaksimin e shpejtë të popullatës, me të cilën shfaq aftësinë menaxheriale, krahasur me vendet e rajonit. Ёshtë Kryeministri i aleancave të fuqishme që i gjenden Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha situatat alarmante, me aleancën strategjike, veçanërisht atë me Republikën e Turqisë. Që nga mbështetja për ushtrinë, investimet e bizneseve turke miliarda euro, ndihmën logjistike dhe ushtarake për transformimin pozitiv të policisë së shtetit, ngritjen e spitaleve, shkollave dhe shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. I atyre alencave që oponentët e tij politik, islamofobët e ndryshëm, xhelozët, në gagasjet mediatike dhe mitingjet don-kishotiane, i emërtonin si aleanca me hordhitë e diktaturës së lindjes (për Turqinë dhe Presidentin Erdogan).
Ёshtë Kryeministri katolik, që ka mbrojtur interesat e komunitetit musliman më shumë se secili udhëheqës tjetër “musliman”, duke mbrojtur publikisht muslimanët nga paragjykimet dhe sulmet e ndryshme, e deri te ndërtimi dhe rindërtimi i xhamive, nga jugu në veri, për një dinjitet të nevojshëm për komunitetin fetar më të madh në vend. Madje, Shqiptarët muslimanë duhet ti heqin kapelen Edi Ramës, për mbrojten e Palestinës, Kudsit të bekur, që kryeministri drejtësisht edhe konform Ligjit ndërkombëtar, kundërshtoi presionet për njohjen e okupimit izraelit me planin Trump, në krahasim me politikën e vjetër e cila me votat pro okupimit, arsyetohej gjithmonë, për pak pushtet të deleguar nga jashtë, se ne jemi me interesat e aleatëve (edhe të atyre administratave të shkundura). Ky fakt i tërbon edhe më shumë islamofobët, turkofobët, për ta sulmuar Ramën. Por që në fakt, me këto sulme atij i bëjnë nder, e lartësojnë, për ti dhënë më shumë mbështetje elektorale komuniteti i konsiderueshëm musliman.
A nuk ishte Rama ai cili me platformën e Tiranës, hodhi një hap të rëndësishëm presioni për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai i cili në çdo rast ka mbrojtur dhe mbron interesat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, pavarësisht auzave të politikës së vjetër për harta imagjinare të ndarjes, apo traut të rrugës së kombit, pretendimeve dashakeqe të politikës së vjetër, që bëjnë sikur nuk e kuptojnë se në çdo vend të botës së qytetëruar, paguhet për mirëmbajtjen e autostradave, për të zhvilluar edhe më shumë autostrada e rrugë me standarte ndërkombëtare, gjë e cila përfaqson patriotizmin e vërtetë. Ёshtë Kryeministër që i drejtohej Maqedonisë së Veriut, se ska NATO pa të drejtat shqiptarëve. Krahasuar me politikën e vjetër e cila e njohu ndër të parat, pa kushtëzim, krijesën e Titos, IRJM-në apo sot Maqedoninë e Veriut, shtetin e atëhershëm diskriminues dhe shtypës të shqiptarëve autoktonë.
Edi Ramën për reformat e ndërtimit të shtetit të së drejtës, e kanë zili, dhe njëkohësisht model edhe shtetet e rajonit, madje edhe vetë Albin Kurti Kryeministri i Kosovës, si një kundërshtar i pazakontë politik i Ramës, me tendenca shtrirjeje të ndikimit politik në shtetin amë. Nën qeverisjen Rama janë shkarkuar më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i janë nënshtruar vetingut në drejtësi. A nuk e ndjek Kurti politikën e Ramës për sistemin e drejtësisë, vetingun në drejtësi të zbatuar si rrallë vende në botë?! A nuk e ndjek Kurti politikën e Ramës edhe për synimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, atë që e bën SPAK-u në Shqipëri, me pasurinë e pajustifikuar të grupeve kriminale, poashtu një institucion i reformave në drejtësi i qeverisë?! Reforma këto që lëvdohen dhe inkurajohen nga të gjitha raportet ndërkombëtare, kryesisht dhe më me rëndësi nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sado që opozita e politikës se vjetër, çirret për ta zbehur dhe hedhur poshtë, sepse në fakt kanë një frikë të madhe pas gjithë kësaj zhurme mohimi, frika e të qenurit lëndë e kësaj drejtësie.
Oponentët politik kryesorë të Kryeministrit, sot janë zyrtarisht milionerë, ata dhe familjet e tyre të pasuruara në qeverisjen e kaluara. Andaj edhe janë të gatshëm të vrasin dhe vriten me krijimin e grupeve të jashtëligjshme dhe të armatosura, anarkistë, një formë e policisë paralele antiligjore, me pretendimin e mbrojtes së votës. Por në fakt për të shpëtuar nga drejtësia që troket, e pasurive të vëna në kurriz të shqiptarëve. Andaj Edi Rama, pavarësisht dobësive sporadike në qeverisje, ose të njerzve të tij në rrethe, për gjithë faktet kokëforta të sipërshënuara, është zgjedhja e duhur për Shqipërinë dhe shqiptarët gjithandej, e jo rastësisht gëzon mbështetje të shumicës. Kundrejt politikës së mentalitetit të vjetër, kandiduar me liderë të deleguar. Politikë e vjetër e cila me humbjen e 25 Prillit, ka shancin të reformohet në një opozitë të shëndoshë, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithandej rajonit e me gjërë.
Tek atëherë opozita mund ta luajë rolin e përngjasimit të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, apo x opozite të shëndoshë, për të përmbysur pushtete dhe marrë qeverisje. Edhe për të përmbysur atë përqindjen e blerjes se votave, që zakonisht e bëjnë thuajse të gjitha partitë politike në forma të ndryshme, me target grupet e manipulueshëm, por kursesi me vullnetin e përgjithshëm të sovranit, i cili drejtohet vetëm nga faktet kokëforta.
Andaj, Edi Rama ëshë ndryshimi që duhet.

Marketing