Nga Alpin Ollogu

Projektligjin për legalizimin e ndërtimeve të egra, shumica parlamentare dhe partia më e madhe opozitare maqedonase, e paska projektuar me logjikën se nuk mund të prishen mbi 50 mijë ndërtime aktuale (sipas asaj që deklaroi Kryeministri, se realisht nuk ka një statistikë të tillë zyrtare për numrin e objekteve të egra). Bëhet fjalë pëe legalizim ndërtimesh të kundërligjshme, brutale dhe shkatërruese për biodiversitetin dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm konform parametrave urbanistike, edhe në zonat e mbrojtura, me përjashtim të liqenit të Ohrit i cili i shpëton projektligjit pasi mbrohet nga UNESKO. Logjika tjetër e krijimit të projektligjit, e thënë po nga Kryeministri, është se me këtë mënyrë legalizimi, ju ndihmohet të varfëve, gjë e cila tregon se me çfarë metodologjie pune, ekzekutivi i qaset problemeve madhore të interesit publik. Me këtë logjikë, një të nesërme, qeveria mund të projektojë ligj për amnistimin e të burgosurve që kanë konsumuar krimin e vjedhjes dhe që gjenden në burgjet e stermbushura të vendit, lirim nga burgu, me arsyetimin se prej tyre shumica janë të varfër, e në burg ju vështirësohet edhe më shumë gjendja ekonomike.

Pas legalizimit masiv të objekteve, sipas projektuesve të ligjit, në të ardhmen do të vendosen rregulla të ashpra penale për moslejimin e ndërtimeve të tilla. Kjo mënyrë arsyetimi, si prej logjikave më kundërthënese që mund të jetë arsyetuar në ndonjë vend të botës, haptazi zhvillon rrugën e kriminalizimit shoqëror, në një shoqëri e cila fatkeqësisht edhe ashtu është konsiderushëm është e kriminalizuar. Situata bëhet më e rëndë kur kemi të bëjmë me legalizime ndërtimesh në zonat e mbrojtura me ligj, lumenjtë, liqenet, kanionet apo parqet e ndryshme. E duhet ta përsërisim se këto ndërtime në zonat e mbrojtura – aty ku edhe bëhet dëmi më i madh urbanistik – ekologjik, nuk janë ndërtuar nga të varfrit ose ata pa kulm në kokë, por janë ndërtuar kryesisht nga njerëz të pasur, të fortët e lidhur me pushtete të ndryshme, për veprimtari fitimprurëse apo vila të dyta e treta private.

Situata korrespondon me shembullin e një amnistie të përfolur, për krimet që dolën nga përgjimet e paligjshme, zvarritja e proceseve, moskonfiskimi i pasurisë dhe kalkulimet tjera për përdorim politik me ish VMRO-në e Gruevskit, e që pas gjithë kësaj amnistie, të fillon vendosja e shtetit të së drejtës. Domethënë, motodologjia është e njejtë, andaj reformat qeveritare në këto drejtime janë inekzistente, ashtu siç pritet të jetë inekzistente lufta ndaj ndërtimeve të egra edhe pas legalizmit të 50 mijë ndërtimeve, nëse gjithmone ligji miratohet kështu siç është. Me qasje të tilla, një gjë është e sigurtë, është e sigurtë brumosja e mentalitetit hajdut shoqëror.

Ligji për legalizimet e ndërtimeve të egra, të atyre ndërtimeve para vitit 2011, me dy afatizime të vazhdueshme nga qeverisjet Gruevski, në vetvete ishte më shumë sesa kriminal, abuziv si me kohën e ndërtimit të objekteve, ashtu edhe me legjitimimin e vjedhjes së pronës publike, nga njerëz të lidhur me pushtetin lokal apo qëndror. Andaj, projektiligji duhet të rishikohet seriozisht dhe në asnjë mënyrë minimalisht mos tolerohet legalizmi i objekteve në zonat e mbrojtura. Mundet të ketë leshime, nëse bëhen tolerime legalizimi per ndërtime të egra në toka private, në zona që nuk mbrohen me ligje të veçanta, ndërtime që njerëzit i kanë për një kulm në kokë të familjes së tyre, që nuk shkaktojnë pengesë urbanistike për shfrytëzimin e hapësirës publike, por që edhe për këto legalizime të formohen komisione vlerësimi, se si janë ndërtuar, me çfarë materiali dhe parametrash inxhinerik, që të nesërmen të mos bëhet varri i tyre në rast të një fatkeqësie të mundshme natyrore, si ajo e tërmeteve.

Me projektligjin e diskutuar, për ndërtimet në zonat e mbrojtura, përjashtuar Liqenin e Ohrit që mbrohet nga UNESKO, ju lihet në kompetencë të vendosin vetë komunat se çfarë të legalizojnë dhe çfarë jo. Tani të paramendojmë se ato komuna, që jo vetëm nuk i kanë ndaluar me forcën e ligjit ndërtimet e vazhdueshme, pasi e kanë pasur dhe e kanë këtë kompetence dhe si forcë ekzekutimi, por tërthorazi i kanë ushqyer njerëzit e interesit, për të ndërtuar pa asnjë kriter të vetëm. Si mund t`ju lihet në kompetencë komunave, kur as kryetarët e komunave e as këshilltarët e udhëheqjes lokale nuk e hapin gojën dhe nuk reagojnë në forma të ndryshme, veçanërisht në mbledhjet e këshillit komunal, për këto shkatërrime masive të territorit komunal, kryesisht në zonat e mbrojtura me ligj, edhe pse paguhen çdo muaj të mandatit të tyre, me shuma të majme nga taksat e qytetarëve, për të mbrojtur interesin qytetar. E kuptojmë që është e vështirë ta thuash të vërtetën, sepse krijon armiq, prish balancat e përllogaritura për përfitime vetjake të mëtejshme, por interesi publik për të cilin besatohesh kur merr detyrën e mbrojtes së interesit publik, duhet të prevalojë mbi gjithë faktorët tjerë. Andaj nuk mund t`ju lihet komunave në kompetencë legalizimi të bëjnë masakrën e radhës urbanistike.

Projekligji duhet të rishikohet seriozisht dhe minimalisht të ndalohen legalizmet në zonat e mbrojtura, për mos vazhdimin e kriminalizimit shoqëror.

Artikulli paraprakGrushte e shkulje flokësh, sherr vajzash gjatë ndeshjes së futbollit (Video)
Artikulli tjetërGjendet vajza nga Kumanova, që u raportua e zhdukur