Ollogu:Beteja e fundit e Ali Ahmetit

Nga: Alpin Ollogu

Ndarja e pozitave, gjegjësisht përgjegjësive në koalicionin e ri qeverisës, e finalizon rolin shtetformues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shikuar me thjerrëzat objektive, pozicionet e arritura shqiptare dhe kryeministri më shumë sesa simbolik, i njëqind ditëve të fundit, është përmbushje e premtimit zgjedhor të integristëve, e një fushate zgjedhore intelegjente, për të arritur shqiptarët nivelin më të lartë të përfaqsimit, deri në pozicionin kryeministror. Po ashtu, një mësim të mirë për mendësinë e trashëguar të politikës maqedonase, se si duhet ti trajtojë shqiptarët. Me këtë lëvizje të Ahmetit, i jepet kuptim më përmbushës lirive dhe të drejtave shqiptare të dala nga Marrëveshja e Ohrit.

Marketing

Në këtë kuptim, ish lideri ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe lideri politik i Bashkimit Demokratik për Integrim, për rreth dy dekada, me fitoret në betejat luftarake dhe elektorale, implementimin e hap pas hapi të Marrëveshjes Kornizë, angazhimi në integrimet evropiane dhe antarsimi i vendit në bllokun perëndimor ushtarak, Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, krejt në fund, i mbetet edhe një betejë, ndoshta më pak spektakolare për vëmendjen e opinionit, por shumë domethënëse për mirëqenien e përgjithshme dhe për rrugëtimin integrues në Bashkimin Evropian: i mbetet beteja e reformës në drejtësi. Kjo betejë është edhe një borxh që Ali Ahmeti para së gjithash i ka popullatës shqiptare për mbështetjen dhe besimin që këta i kanë dhënë, si në luftë ashtu edhe në paqe të proceseve zgjedhore. Ndoshta edhe për atë që popullata shqiptare ka qenë dhe mbetet viktima më e madhe e sistemit të drejtësisë. Kjo për arsye të njohura të diskriminimit të heshtur etnik në dyert e gjykatave dhe prokurorive, etj.

Me reformën në drejtësi, Ali Ahmeti do ti siguronte vetes rolin historik në të gjitha rrafshet e veprimtarisë së tij. Reformë në drejtësi që nuk munden ta realizojne partitë e krahut të luftës në Republikën e Kosovës, mossuksesi i të cilëve në këtë drejtim i dha mbështetje elektorale partisë së Albin Kurtit, për të filluar ai luftën kundër korrupsionit, pikërisht me mekanizmin e propaganduar të vetingut në fushatën e tij zgjedhore si dhe në nisjen e përgatitjeve të këtij mekanizmi, gjatë qeverisjes së tij disa mujore. Partia e Kurtit e kishte tashmë të qartë dhe të njohur nga praktika e R. Shqipërisë, se si mund të luftohet korrupsioni në drejtësi, i një vendi të rrethanave tona në Ballkan. Pikësynim reforme e cila me të gjitha gjasat, do ta rikthejë më fuqishëm në pushtet partinë e Kurtit, pasi pika më e fortë e një opozite është lufta kundër korrupsionit. Këtë lloj reforme – drejtësie, të lavdëruar edhe nga faktori ndërkombëtar, e propagandojnë dhe e realizojnë vetëm politikanë vizionarë dhe të guximshëm.

Nëse partia e Ahmetit, vetë Ali Ahmeti, i dorëzohet dhe heq dorë nga premtimi elektoral për veting të plotë në gjyqësor, rrjedhimisht i dorëzohet modelit zaevist (pastrimi në gjyqësor me metodologjinë e qeverisjes së kaluar), përsëri gjyqësori do të mbetet peng i kriminalitetit. Çështjet gjyqësore të kriminalitetit qeverisës dhe mafies sipërmarrëse do të mbeten pa epilog deri në vjetërsim të lëndëve, rikualifikim të veprave penale në dobi të krimit apo ikjes jashtë shtetit të akuzuarve me pasurinë e grabitur qytetarëve. Me modelin zaevist, Antikorrupsioni, Këshilli Gyqësor, Policia financiare, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha institucionet e varura drejtpërdrejt nga mekanizmi qeverisës, do të jenë përsëri fluskë sapuni në luftimin e kriminalitetit, sepse kupola mbrojtese dhe labirinthet e shpëtimit të krimit do të bëhen në korridoret e gjykatave dhe prokurorive.

Në rrethanat aktuale, pa këtë betejë me ndërhyrje “kirugjikale” – vetingu, në luftimin e korrupsionit në pikën më nevralgjike të organizmit shtetëror, sistemin e drejtësisë, do të mbetej e paplotësuar figura e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, për arsyen e thjeshtë të fuqisë së tij politike dhe fuqisë qeverisëse aktuale, “de fakto” më shumë edhe se sa vetë Zoran Zaev. Ahmeti me këtë reformë gjyqësori, ju del borxh shqiptarëve edhe për korrupsionin e një pjese të funksionarëve të partisë së tij në qeverisjet e gjata qëndrore dhe lokale, të cilët kanë mbijetuar falë sistemit të rrënuar të drejtësisë.

Gjitha pasojat e një sistemi arsimor të korruptuar; shëndetësie dhe policie të korruptuar; administratë publike dhe qeverisje lokale – të korruptuar; sigurisë së munguar publike, sigurisë në marrëdhëniet e punës dhe klimës së pandershme biznesore dhe biznesit kriminal, e deri tek keqpërdorimet doganore e aksidentet e shumta në komunikacion, janë pasojë e rryshfetit në drejtësi, kapjes së drejtësisë nga krimi dhe politika. Kriza ekonomike është drejtpërdrejt dhe tërrthorazi pasojë e këtyre gjykatave dhe prokurorive. Aty ku mundësohet të zhvatet buxheti dhe pasuria publike, ku pasuritë e vjedhura të qytetarëve, pronat e uzurpuara, nuk marrin epilog të drejtë, por anshmëri gjykimi në favor të rryshfetit dhe politikës. Gjithçka është e lidhur me sistemin e drejtësisë, dhe rrjedhimisht gjithçka mund të vijë në vijë të drejtë, me futjen në binarë të duhur të këtij sistemi. Jo rastësisht shtetet me të zhvilluara të botës kanë sistemet me efikase të drejtësisë, ku p.sh në shumë shtete të SHBA-ve, vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve kryhet në çdo 5 vite të punës se tyre.

Edhe pretendimet e opozitës, qofshin ato shqiptare apo maqedonase, se sapo të vijnë në pushtet, do të luftojnë kriminalitetin në rradhët e funskionarëve dhe të gjyqësorit, janë pretendime boshe, farsë dhe propaganda politike të cilat janë vërtetuar me rotacionet qeverive të kaluara. Opozita e ka vetëm një rrugë për të bindur elektoratin se do të luftojë kriminalitetin, vetëm me vetingun në drejtësi sipas modelit të R.Shqipërisë dhe të ngjashëm me të. Gjithçka tjetër është gënjeshtër, ashtu si gënjeu Zaevi për vite me radhë me reformat e Këshillit Gjyqësor dhe Antikorrupsionin, dy institucione që sot akoma mbas disa viteve të thirjes në reforma, bëjnë teatër të turpshëm se kush duhet të hetojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lojëra fjalësh dhe kohë e humbur, e dy institucione të paafta dhe të pamundshme praktikisht për të hetuar pasuritë e pajustifukuara të subjekteve të drejtësisë, lidhjet e tyre kriminale dhe zbatueshmërinë ligjore në aktgjykimet dhe procedimin e tyre.

Për të gjitha këto, Ahmeti ka shancin historik, fuqinë politike dhe qeverisëse, për ta kushtëzuar partnerin e koalicionit qeverisës, ta nisë reformën e vërtetë në drejtësi – vetingun e premtimit elektoral. Betejë pa të cilën, apo pranimi i një modeli tjetër reforme drejtësie të dalë nga manipulimet dhe arsyetimet zaeviste, veprimtaria e Ahmetit nuk do të ishte e plotë, suksesi historik do të ishte i mangët dhe borxhi ndaj elektoratit shqiptar në këtë drejtim i pashlyer. Një shanc të lëshuar të cilin Ahmeti dhe partia e tij do t’ja linte opozitës shqiptare për tu bërë ajo pjesë e një histore të sukseshme në ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetit të mirëqenies qytetare. Gjithmonë nëse kjo e fundit, në qeverisjen e mundshme të ardhme, do ta kushtëzonte pjesëmarrjen qeverisëse me jetësimin e VETING-ut në drejtesi, për ta materializuar rezistencën e propaganduar ndaj korrupsionit. Fundja, kryesisht opozita shqiptare, nuk ka element më të fuqishëm për ngjitjen në pushtet sesa fokusimi në betejën e korrupsionit, pasi elementi i të drejtave nacionale, thuajse është shteruar nga forca politike e Ali Ahmetit.

Marketing