Opinioni kërkon përgjigje për rastin “Reket”, PP-ja thotë se po punohet në rastin

Pjesët e reja të incizimit në lidhje me rastin “Reket”, për pagesën e të arrestuarit Jordan Kamçev drejtë Bojan Jovanovskit (Boki13) të publikuara në internet edicionin e gazetës italiane “La Verita”, që në një pjesë të mirë edhe përsëriten me materialet audio dhe video të plasuara paraprakisht shkaktuan reagime nga të gjithë të cilët në çfarëdo mënyrë përmenden ose kanë lidhje me rastin. Rritet edhe presioni nga opinioni drejtë Prokurorisë Publike prej së cilës pritet që ta përshpejtojë hetimin, veçanërisht pas komenteve dhe kritikave të shpeshtuara se është e palejueshme që njerëzit e parë të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe të PSP-së të jenë në pushim kur po vijon hetimi me përmasa të tilla.

Marketing

Incizimi i ri përmban audio incizim nga biseda në të cilën dëgjohen zërat të cilët iu ngjajnë zërave të biznesmenit Jordan “Orce” Kamçev dhe Boki 13, ndërsa në një pjesë është vendosur edhe një fjali e prokurores speciale publike Katica Janeva. Nuk ka video që të shihet se ku dhe si zhvillohen bisedat.

U prononcua Prokuroria Publike e cila kumtoi se incizimet e publikuara në mediumin italian në lidhje me rastin “Reket” nuk janë marrë nga Prokuroria, por bëhet fjalë për materiale audio dhe video të cilat janë pjesë e procedurës së dëshmive në këtë rast, ndërsa të cilat deri te Prokuroria Publike ishin dorëzuar nga një dëshmitar i rastit.

Prokuroria Publike thekson, se pushimet vjetore nuk reflektojnë në kryerjen e hetimit, ndërsa në vendin e prokurorëve publikë të cilët janë në pushim janë emëruar prokurorë të cilët i zëvendësojnë dhe në mënyrë aktive punojnë në lëndën. “Funksioni i prokurorisë publike kryhet pa ndërprerje”, theksohet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Prokurori Publik Lubomir Jovevski në një deklaratë për MEDIAL-n tha se të përfshirët në rastin “Reket” do të merren në pyetje pa dallime, përfshirë edhe prokuroret speciale publike Katica Janeva dhe Lile Stefanova, e cila e udhëheq rastin “Perandoria”.

“Prokuroria për shkak të konfidencialitetit të procedurës, nuk kumton paraprakisht se cilat veprime dhe kur do të ndërmerren. Prokuroria që prej para hapjes së hetimit ka planifikuar veprime se si do të udhëhiqet procedura dhe sipas atyre do të udhëhiqet procedura”, thotë Jovevski duke u përgjigjur në pyetjen se si do të vazhdojë procedura për “Reket”.

Në lidhje me publikimet e reja të audio materialeve u prononcua edhe prokurorja speciale publike Janeva, e cila thotë se është e habitur se si procedurat e saja “sillen në çfarëdo lloj korrelacioni me rastin ‘Reket’.
“Si prokurore speciale publike, është obligim i imi të kontaktoj me të gjithë të dyshuarit si dhe me persona të tjerë lidhur me veprimet penale të cilat udhëhiqen në këtë Prokurori Publike dhe nga të gjithë ata të përpiqem të nxjerrë numër sa më të madh të informatave”, thotë Janeva, duke shtuar se ka biseduar për rritje të shkallës së bashkëpunimit me të dyshuarit, për zbulimin e njohurive të reja në dobi të hetimit, por në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk ka tregtuar me kurrfarë ndikimi, nuk e ka keqpërdorur funksionin e saj dhe nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

“Prokurori çdoherë është prokuror, e madje edhe kur bisedon me të dyshuar në telefon, ndërkaq për deklaratë të këtillë në atë moment kishte shkak të arsyeshëm”, thekson Janeva.

Edhe prokuroja publike në PSP, Lile Stefanova në një deklaratë me shkrim e hodhi poshtë si të pavërtetë atë që e tha Jordan Kamçevi në incizimin e publikuar në gazetën italiane “La Verita” dhe vlerëson se qëllimi është që ta diskreditojë si prokuror.

Në deklaratën ajo sqaron se në muajin gusht të vitit 2018, të dyshuarit Jordan Kamçev dhe Cvetan Pandelevski kanë tentuar që të ndikojnë në parahetimin që në atë periudhë ishin drejtuar kundër tij dhe personave të tjerë, duke e përdorur njohjen e saj me Vanço Çifliganec.

Biznesmeni Vanço Çifliganec, në ndërkohë, në një kumtesë me shkrim i mohoi akuzat e thëna në incizimet e reja të publikuara nga bisedat mes Boki 13 dhe Kamçev për rastin “Reket”.

“Do të doja me përgjegjësi të njoftoj opinionin se një bisedë e tillë lidhur me ndonjë kërkesë ndaj njërit nga personat që paraqiten në incizim nuk ka ndodhur, pa përjashtim, nuk jam njeri i tillë që hyn në biseda të tilla. Qasja ime çdoherë ka qenë në pajtueshmëri me rregullat ligjore. E pakuptimtë është të përmendet emri im”, qëndron në deklaratën e Çifliganecit.
Në incizimet e publikuara të gazetës “La Verita” dëgjohet se si Kamçevi thotë se Çifliganeci i ka kërkuar dyqan për ordinanca stomatologjike për prokuroren e PSP-së, Lile Stefanova.

Incizimet e reja të publikuara ishin shkak që pushteti dhe opozita përsëri të këmbejnë akuza në lidhje me rastin “Reket”. Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristian Mickoski vlerëson se “kemi punë me oktapod kriminal dhe se ky është realiteti, por, shton, pyetja është se çka ndërmarrin pushteti dhe institucionet. Ai në publikimin e tij në Fejsbuk bën thirrje që gjitha ata të cilët kanë gabuar para ligjit dhe janë turpëruar para qytetarëve të bartin përgjegjësinë dhe pyet se pse ende Katica Janeva nuk është në paraburgim, pse as Friki, e as Kiki nuk janë ftuar që të merren në pyetje.

“Pse Zaevi i mbron kriminelët në radhët e tij, e pastaj paraqitet dyshimi ose vet konfirmimi, se këtë e bën prijësi i valles në mbrojtjen e atij krimi”, thotë Mickoski.
Kryeministri Zoran Zaev gjithashtu përmes Fejsbukut porositi se duhet të zbardhen rastet, për të cilat zhvillohet hetim dhe secili të përgjigjet për atë që e ka bërë.
“Hetimi duhet t’i zbulojë të gjitha detajet. Secili të përgjigjet për veprimet e tij. Qytetarët merituan drejtësi”, shkroi Zaev në profilin e tij në Fejsbuk pas publikimit të xhirimeve në gazetën italiane “La Verita”, në të cilat janë shfaqur dhe dëgjohen biseda të personave të dyshuar ose të akuzuar në lëndën “Reket” dhe “Perandoria”.

Deri më tani nuk ka përgjigje se kush është autori i incizimeve, e as se si janë incizuar dhe kush i ka distribuuar. Publikues është gazetari Laris Gajser, i njohur për qëndrimet e tija djathtiste dhe për afërsinë me persona të së djathtës ekstreme evropiane, si dhe me përfaqësues të opozitës maqedonase.

Marketing